I dërguari i Posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun me Serbinë, dhe njëkohësisht ambasadori i SHBA’së në Gjermani, Richard Grenell, ka postuar në Tuitter pas përfundimit të Konferencës së Sigurisë që u mbajt në Munih.
Grenell ka thënë se këto katër ditë kanë qenë intensive dhe me plotë takime me liderë botërorë.
“Sapo përfundova katër ditë me takime ndërkombëtare të pafundme në Konferencën e Sigurisë në Munih dhe pas kësaj kam vetëm një mendim: Amerika është shteti më i madh në botë”, ka shkruar Grenell në rrjetin social.
Grenell i takon Partisë Republikane në SHBA dhe njihet si përkrahës i madh i presidentit, Donald Trump.
Ai është dërguar nga Shtëpia e Bardhë në SHBA me detyrë speciale për të marrë pjesë në dialogun Kosovë-Serbi.
Grenell është takuar para disa javëve me liderët e Kosovës, të cilët ishin të pranishëm në Munih.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri, Albin Kurti, dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, kanë qenë pjesë e punimeve të kësaj Konference.
Vlen të përmendet se Grenell, si njërin ndër vendimet e tij të para pas përfshirjes në dialog, ka kërkuar që të hiqet taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Po ashtu, ai ka luajtur rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes për krijimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd dhe marrëveshjen për hapjen e hekurudhave që lidhin të dy shtetet. /Express/