Kryeparlamentarja Vjosa Osmani nga Peja paralajmëroi se do të takohet gjatë ditës së sotme me kryeministrin Albin Kurti dhe do të flasin më gjerësisht sa i përket çështjes së taksës.
E se do të ketë një takim të tillë e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri Haki Abazi.
Abazi për “Gazeta Blic” ka theksuar se takimi i sotëm është në frymëm e koordinimit të çështjeve që janë pjesë e agjendës qeveritare.
“Sigurisht që në procesin e bashkëpunimit edhe të diskutimeve kemi takime të rregullta mes partnerëve të koalicionit dhe përfaqësuesve të dy subjekteve politike. Takimi i sotshëm është po në atë frymë të koordinimit edhe të akordimit të çështjeve që janë pjesë e agjendës qeveritare. Të gjitha çështjet që i ka për detyrë dhe ai i ka në listën e prioriteteve Qeveria për t’i ndërmarrë veprime janë pjesë e diskutimeve” tha Abazi.
Gjatë ditës së djeshme Kryeministri Albin Kurti deklaroi se tarifa për lëndën e parë që vjen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja, të hiqet nga data 15 mars.
Por kjo gjë nuk u prit mirë nga i dërguari i Trump për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell.
Ai i ka quajtur masa gjysmake paralajmërimet e Kryeministrit Kurti për heqjen e pjesshme të taksës në prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës dhe ka theksuar se ai është duke bërë një gabim serioz.