Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të enjten ka marrë vendimin e parë si ministrie e këtij dikasteri, duke anuluar kështu procesin e emërimit të 79 noterëve për 35 komuna të Kosovës, proces ky i nisur më 23 korrik të vitit të kaluar, 4 ditë pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinajt, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Duke e arsyetuar këtë vendim, Haxhiu ka deklaruar se ky proces nuk mund të shtyhet përpara për shkak të mungesës së ligjshmërisë dhe të transparencës. “Sipas legjislacionit në fuqi, provimi i noterisë organizohet, mbahet dhe përfundon duke pasur për bazë parimin e ligjshmërisë, të transparencës dhe të objektivitetit, me qëllim që të garantohet një proces i drejtë. Në anën tjetër, i njëjti proces nuk ka pasur as ligjshmëri, as transparencë dhe as objektivitet, shrkuan tutje “Zëri”.
Në këtë drejtim unë si ministre e Drejtësisë nuk mund të shtyj përpara një proces të komprometuar. Unë nuk mund të shtyj përpara një proces që është përcjellë me parregullsi dhe me humbje të besimit. Nuk mund të shtyj përpara një proces, nga i cili shumica dërrmuese e kandidatëve që kanë kaluar provimin e noterisë janë militantë partie, anëtarë ose miq të anëtarëve të Komisionit të Noterisë ose edhe familjarë të tyre”, është shprehur Haxhiu.