Injorimi i centave në tregun kosovar dhe fitimet milionëshe të bizneseve

Sa herë që qytetarët e Kosovës blejnë diçka, kusuri i centave për ta duket shpeshherë i pavlefshëm.

Kjo fillon zakonisht nga mos kthimi i kusurit 1,2 e 5 cent, që në shikim të parë mund të duket pak, por nga kjo tregtarët po pasurohen çdo ditë e më shumë.

Edhe pse në Kosovë është edhe Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit i cili e rregullon mbrojtjen e së drejtës themelore pranë blerjes së prodhimeve dhe shërbimeve, e ndër to theksohet “E drejta për mbrojtjen e interesave ekonomike të konsumatorëve dhe e drejta e mbrotjes juridike të konsumtorit”, ai nuk po funksionon sa duhet.

Reklama e sponzorizuar

Selatin Kaçaniku nga Organizata “Konsumatori” tha se me kalkulimet e bëra nga ta, rezulton se deri në 50 milionë euro në vit tjetërsohen duke ia mohuar të drejtën për kusur qytetarit konsumator.

Ai çështjen e kusurit e cilësoi si një “produkt” të një ligji politiko-biznesor, ku me këtë po shkelen të drejtat e konsumatorit, po injorohet ai dhe po i prekin dinjitetin, shkruan Indeksonline.

“Në si shqiptar kemi shumë krenari dhe të lypim nuk duam, andaj ata që pretendojnë të na bëjnë lypsar, e kanë gabim, dhe faktikisht këtu e bëjnë gabimin e dytë”, tha Kaçaniku.

Sipas Selatin Kaçanikut e vetmja zgjidhje që konsumatori të jetë i mbrojtur është që të ketë sa më shumë inspektorë në teren, ndërsa Safet Gërxhaliu përveç kësaj shtoi se edhe kampanjat vetëdijesuese janë të domosdoshme.

E për krejt këto, bizneset po dalin me arsyetime kinse Banka Qendrore e Kosovës nuk po i furnizon ato me monedha të imëta.