Në rastin e Kosovës është e rëndësishme që Organet e ndihmës shtetërore të marrin për vlerësim projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, i cili sipas raportit “Kapacitetet dhe pavarësia e institucioneve për ndihmë shtetërore”, përbën ndihmë shtetërore të palejuar, siç thuhet, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.
Gjetjet e këtij raporti janë publikuar sot në një tryezë diskutimi të Instituti GAP, i cili e ka realizuar raportin, Instituti i Prishtinës për Studime Politike, dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Në këtë raport janë dhënë edhe tri rekomandime.
I pari është që institucionet e ndihmës shtetërore duhet të marrin në trajtim të gjitha projektet për të cilat ekzistojnë indikacione që ka prezencë të ndihmës shtetërore, raporton Koha Ditore.
Prioritet duhet t’u jepet projekteve të mëdha që kanë kosto të lartë buxhetore dhe që mund të dëmtojnë kësisoj buxhetin e shtetit të Kosovës në rast të prezencës së ndihmës shtetërore të palejuar. Rekomandimi i dytë është që Departamenti i Ndihmës Shtetërore (DNSH), përveç dërgimit të njoftimeve tek institucionet ku kërkon që të prezantohen skemat apo ndihmat individuale që ato akordojnë, duhet të marr iniciativën njëanshëm, sipas asaj çfarë i lejon ligji, të vlerësojë projekte në të cilat supozohet të ketë prezencë të ndihmës shtetërore të palejuar.
Ndërsa rekomandimi i tretë është që Departamenti i Ndihmës Shtetërore dhe Komisioni i Ndihmës Shtetërore duhet ti japin prioritet vlerësimit të projektit të “Kosovës së Re”, dhe duhet të kërkojnë asistencë teknike edhe nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për vlerësimin e këtij projekti.