Lideri i PDK’së, Kadri Veseli, i kërkoi kryeministrit të ri, Albin Kurtit, të merret me rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjës Vetëvendosje, Astrit Deharit, në burgun e Prizrenit. Për herë të parë, Veseli iu referua rastit të Deharit si ‘vrasje’. Konjufca tregon si e pa deklaratën e Veselit.
Lideri i opozitës i kërkoi Kurtit që gjatë qeverisjes së tij të zbardhet vdekja e Deharit, rrethanat e së cilës janë akoma ta paqarta që nga vitit 2016.
Konjufca në emisionin Pressing thotë se Veseli qenka bindur se është vrasje vdekja e Deharit, e jo vetëvrasje, sic kanë thënë ekspertizat vendore të kryera kur PDK udhëhiqte ministrinë e Drejtësisë.
“Ai qenka pajtuar me ekspertizën ( e kryer në Zvicër), e cila e konsideron vrasje vdekjen e Astrit Deharit” , është shprehur Konjufca.
Ndërsa ai thotë se Prokuroria e Shtetit, që po heton vdekjen e Deharit është dashur ta intervistojë Veselin pas deklaratës në Kuvend,
“Është dashur që ta thërret një prokuror dhe t’i thotë keni dhënë shenja që po dini diçka për një rast që ne po e hetojmë”, është shprehur Konjufca