Shkarkimi i Bordit të Drejtorëve të “Infrakos”-it është vënë në rend dite për mbledhjen e radhës së qeverisë së Kosovës.
Më 2017-tën, kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Agron Thaqi kishte paralajmëruar për krizën në këtë ndërmarrje, duke bërë të ditur se 332 punëtorët e kompanisë mund të mos i marrin rrogat. Por, ndërmarrja kishte marrë tatëpjetën me të ardhur Thaqi në krye të saj.
Në nëntorin e vitit të kaluar punëtorë të saj kishin protestuar, shkaku se nuk i kishin marrë pagat e dy muajve të fundit.
Për keqpërdorimet në këtë ndërmarrje që menaxhon me infrastrukturën hekurudhore dhe që ndodhet buzë falimentimit, KOHA ka raportuar vazhdimisht.
Në prill të 2014-tës, një kontratë qiraje e lidhur me kompaninë “Konet” për një periudhë dhjetëvjeçare, i siguronte “Infrakos”-it, pagesë për shfrytëzimin e gypave mbrojtës të kabllos optike në shumën prej 6,947,352 eurosh. Ndërkaq, për shfrytëzimin e godinave teknike parashihej pagesë tjetër prej 849,341 euro. “Infrakos” megjithatë kishte arkëtuar vetëm 165.118 euro. Marrëdhënia kontraktuale nuk ishte shkëputur. Madje, “Infrakos” kishte tërhequr nga gjykata një kërkesë për përmbarimin e borxhit.
Në shkurt të 2014-tës, Hekurudhat e kishin blerë një vagon special në 2011-n, me qëllim të matjes së binarëve. Kontrata thoshte se pajisja duhej të ishte e re, por dokumentet tregonin se vagoni ishte i vjetër dhe i ngjyrosur. Vagoni ishte treguar jofunksional gjatë gjithë testimit. Kishin ndodhur një numër i madh defektesh gjatë testimeve dhe kishte dhënë rezultate jokorrekte gjatë matjeve. Shkaku i kësaj, ishte bërë një padi. Por, procesi gjyqësor nuk ishte zhvilluar kurrë, ngaqë pasi kishte ardhur në krye të “Infrakos”-it Agron Thaqi, ishte tërhequr padia. Prej atëherë, vagoni nuk ka realizuar asnjë matje.
Në shkurt të 2014-tës, “Plasser&Theurer GmbH” kishte fituar kontratën e dytë nga “Infrakosi”. Atë e kishte firmosur drejtori i ri i Prokurimit, ditën kur ishte punësuar nga kryeshefi ekzekutiv, Agron Thaqi. Edhe Thaçi kishte vënë firmën në të, por informatën ia kishte mbajtur fshehtë “Kohës Ditore”. Shefi i mëparshëm i Prokurimit kishte refuzuar ta nënshkruante kontratën, ngaqë ende nuk është përmbyllur një procedurë ankimimi në OSHP. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, pjesa më e madhe e menaxhmentit dhe sindikata ia kishin kërkuar dorëheqjen kryeshefit, duke kërcënuar me bllokim të hekurudhave.
Në janar të 2015-tës, “Infrakos”-i e kishte blerë një kamionetë dyfish më shtrenjtë sesa që e kishte blerë fituesi i tenderit. Kamioneta ka dështuar në dy teste që i ishin bërë, ngaqë ishte pranuar përkundër faktit se nuk ishte sjellë konform specifikave teknike që kërkoheshin me tenderë.
Përpos kësaj, edhe qindra mijëra euro, grante qeveritare, ishin humbur prej kësaj ndërmarrjeje ndërmarrje, shkaku i keqmenaxhimit apo keqpërdorimit edhe në dy aktivitete të tjera prokurimi – njëri ka të bëjë me një ekskavator e tjetri me traversa druri.
Përkundër këtyre, kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Agron Thaqi ishte shpërblyer me një mandat shtesë.