Konjufca propozon që këtë vit të mos aplikohet në Interpol

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka kërkuar në mbledhjen e qeverisë që të shqyrtohet mundësia e mos aplikimit të Kosovës këtë vit në Interpol, raporton Gazeta Express.

Konjufca tha se sipas analizave të brendshme Kosova nuk ka ndryshuar pozicion sa i përket mbështetjes.

“Është një çështje e ngutshme, është lënda aktive për aplikim i Kosovës në Interpol që do të aktivizohet shumë shpejtë. Sipas analizave të brendshme të ministrisë që përfaqësoj, gjendja nuk duhet shumë optimiste krahasuar me vitet e kaluara, me thënë të drejtën Kosova nuk ka ndryshuar pozicion sa i përket mbështetjes, nëse krahasohen votimet me dy vitet e kaluara, kështu që ne do të marrim një vendim, sipas analizave sipas të gjitha parametrave Kosova do të kishte të njëjtin rezultat po të aplikonte edhe këtë vit”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se propozimi është mirë të bëhet vitin e ardhshëm.

“Propozohet që të jetë një takim në vitin e ardhshëm, që është shumë më i përshtatshëm për ne për vendin ku mbahet që është në Turqi ku do të mund të ndodhte një punë më e madhe sepse e kemi trashëguar një gjendje të rëndë dhe neve na ka ndodhë dështimi i votimit për anëtarësim të Kosovës në Interpol. Më duket se me 1 ose 2 mars vetëm kjo çështje vendoset, ne duhet t’i lajmërojmë institucionet përkatëse që Kosova nuk do të aplikojë këtë vit, kjo sipas burimeve është këshilla e miqve tanë.

Propozoj që të shqyrtohet kjo dhe të dalim me një vendim, meqenëse është e rëndësishme të mos dështojmë, sepse dështimet nuk po janë të mira për Republikën”, ka thënë ministri.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se do ta trajtojë këtë çështje me urgjencë.