Kosova dhe Shqipëria i paguajnë më pak punëtorët e tyre se në çdo vend tjetër të Evropës, sa i takon pagës minimale, që ata janë të detyruar të japin me ligj.
Sipas të dhënave të Zyrës Evropiane të Statistikave, në fillim të vitit 2020, paga minimale bruto në Shqipëri ishte 213 euro. Në Shqipëri, sipas INSTAT, janë mbi 320 mijë persona ose gati një e treta e të punësuarve, që paguajnë sigurime me pagën minimale prej 26 mijë lekë [210 euro].
Ndonëse paga minimale në vend është rritur disa herë, sërish mbetet më e ulëta në Evropë, me përjashtim të Kosovës. Niveli i ulët i saj është dhe një nga arsyet që deklarohet si shkak për tendencën e lartë për emigrim.
Të dhënat e Eurostat nuk janë për Kosovën, por sipas të dhënave zyrtare, paga minimale aktualisht në Kosovë është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç. Kurse kërkesa gjatë vitit te kaluar ka qenë që kjo pagë të bëhet 250 euro, por nuk u arrit. Paga minimale në Kosovë ka mbetur e njëjtë që nga viti 2011, çmimet e konsumit kanë shënuar rritje.
Në Maqedoninë e Veriut, paga minimale bruto është 282 euro, në Mal të Zi është 331 euro, ndërsa paga më e lartë minimale në rajon është në Serbi me 343 euro.
Në përgjithësi, pagat minimale në rajon janë shumë më të ulëta në raport me vendet e Bashkimit Evropian.
Deri më 1 janar 2020, 21 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë paga minimale kombëtare: vetëm Danimarka, Italia, Qipro, Austria, Finlanda dhe Suedia nuk kanë një minimum për pagën.
Eurostat thotë se pagat minimale mujore në përgjithësi janë nën 600 euro në lindje dhe mbi 1,500 euro në veri-perëndim të BE-së.
21 shtetet anëtare të BE-së që kanë pagat minimale kombëtare mund të ndahen në tre grupe kryesore.
Në janar të vitit 2020, Bullgaria kishte pagën më të ulët bruto me 312 euro në të gjithë BE-në. Nëntë shtete anëtare, të vendosura kryesisht në lindje të BE, pasuan me paga minimale midis 400 euro dhe rreth 600 euro në muaj: Letonia me 430 euro, Rumania me 466 euro, Hungaria me 487 euro, Kroacia me 546 euro, Çekia me 575 euro, Sllovakia me 580 euro, Estonia me 584 euro, Lituania me 607 euro dhe Polonia me 611 euro.
Në pesë shtete të tjera anëtare, të vendosura kryesisht në jug të BE-së, pagat minimale shkonin midis 700 euro dhe pak më shumë se 1,000 euro në muaj: Portugali me 741 euro, Greqi me 758 euro, Maltë me 777 euro, Slloveni me 941 euro dhe Spanja me 1,050 euro.
Në shtatë Shtete Anëtare të mbetura, të gjitha të vendosura në perëndim dhe veri të BE-së, pagat minimale ishin mbi 1,500 euro në muaj: Franca me 1,539 euro, Gjermania me 1,584 euro, Belgjika me 1,594 euro, Hollanda me 1,636 euro, Irlanda me 1,656 euro dhe Luksemburgu me 2,142 euro.
Për krahasim, paga minimale federale në Shtetet e Bashkuara ishte 1,119 euro në muaj në janar të 2020-së. /Monitor.al/