Kosova drejt humbjes së 2.4 milionë eurove të IPA-s

Në sirtarët e Qeverisë është duke pritur një draft-dokument i cili, nëse nuk miratohet shpejt, në një afat të shkurtër do t’ia humbë Kosovës 2.4 milionë euro të fondeve të IPA-s, e në atë afatgjatë qindra milionë të hyra buxhetore. Pa ndonjë arsye, Qeveria e Ramush Haradinajt nuk e ka votuar atë gjatë 2019-s.

Është ky Koncept-dokumenti për lehtësimin e barrës administrative. Me të kërkohet të listohen ndryshime në një numër ligjesh, e nëpërmjet të cilave bizneset dhe qytetarët do të çliroheshin nga një varg procedurash burokratike që aplikohen me rastin e kërkimit të lëshimit të certifikatave, lejeve dhe licencave nga administrata publike. Procedurat e tashme Bashkimi Evropian (BE) i ka parë si barrë administrative. Prandaj ka kushtëzuar një asistencë financiare me miratimin e Koncept-dokumentit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zyra e BE-së në Kosovë e ka paralajmëruar këtë në një përgjigje dhënë gazetës.

Reklama e sponzorizuar

“Miratimi i Koncept-dokumentit për zvogëlimin e barrës administrative nga Qeveria është një nga objektivat të cilat ishin planifikuar të arriheshin para fundit të dhjetorit 2019”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së. “Nëse në kohën e vlerësimit objektiva nuk është arritur, me siguri kjo do të thotë se fondet e ndërlidhura me objektiven nuk do të ndahen”.