Policia e Krimeve Ekonomike ka nisur hetimet preliminare për mënyrën e zgjedhjes së drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës. Në janar të vitit 2019 drejtor i këtij institucioni është zgjedhur Eset Berisha, ish-këshilltar i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Mbledhja e informatave nga Policia e Kosovës ka nisur një ditë pasi “Koha Ditore” ka raportuar për dyshimet e ngritura nga ekspertët ligjorë për përvojën menaxheriale të Berishës. Shkresa që mban datën 4 shkurt, e që është lëshuar nga Policia e Kosovës, i është drejtuar Autoritetit të Aviacionit Civil, shkruan sot Koha Ditore.
“Sektori për hetimin e krimeve ekonomike është duke grumbulluar informacione lidhur me rastin”, thuhet në këtë shkresë.
Hetimi preliminar, sipas kësaj shkrese, ka të bëjë me mënyrën se si Eset Berisha është punësuar në AAC.
“Me qëllim të verifikimit dhe gjetjes së dëshmive kërkojmë nga AAC të na sigurojë komplet dosjen e drejtorit të përgjithshëm të këtij Autoriteti, Eset Berisha, që nga punësimi i tij në AAC e deri në emërimin e tij në pozitën e tij të fundit si drejtor i këtij Autoriteti”, thuhet në shkresën e Krimeve Ekonomike të siguruar nga gazeta.
Kjo drejtori ka kërkuar edhe informata për kriteret ligjore që një kandidat duhet t’i plotësojë për të marrë këtë pozitë.
“Po ashtu ju lus të na siguroni edhe informata përkatëse lidhur me kriteret e nevojshme për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të AAC-së”, thuhet në këtë shkresë.
Përveç Krimeve Ekonomike edhe Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur hetimin e mënyrës së përzgjedhjes së Berishës në këtë pozitë.
“Mund t’ju konfirmojmë se në këtë rast është filluar hetim për konflikt interesi”, ka thënë ky institucion për gazetën.
Gazeta i ka drejtuar pyetje edhe Autoritetit të Aviacionit Civil e edhe Eset Berishës në lidhje me këtë hetim. Berisha në përgjigjen e tij ka thënë se nuk është në dijeni se organet hetimore kanë kërkuar dosjen e tij.
“Mbase për këtë edhe nuk jam njoftuar. Sidoqoftë mund të konfirmoj edhe një herë, sikur herën e kaluar kur ju kam konfirmuar me dokumente dhe dëshmi, se përzgjedhja ime si drejtor i përgjithshëm i ACC-së është bërë në pajtim të plotë me kërkesat e nenit 20. par. 1 dhe 3 të Ligjit nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil. Shumë lehtë mund të vërtetohet nga faktet e prezantuara se unë kam ushtruar pozitën e udhëheqësit të Zyrës për çështje juridike dhe rregullatore nga viti 2011 deri në shtatorin e vitit 2016, që i bie për më shumë se 5 vjet, ashtu siç kërkohet me nenin 20 të ligjit në fjalë”, ka thënë Berisha në përgjigjen e tij me shkrim.