Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar telegram urimi nga kryeministri i Republikës së Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili e ka përgëzuar për zgjedhjen e tij si kryeministër, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe të rëndësishme.
Në letër, kryeministri grek ia shpreh edhe nevojën që dialogu me Serbinë të vazhdojë.
Vazhdimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga ana e BE-së, si dhe shmangia e veprimeve që janë në kundërshtim me marrëdhëniet e mira fqinjësore, thuhet në letër, do të fuqizonte perspektivën e Kosovës.
“I nderuar z. Kurti, Dëshiroj të ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si Kryeministër, dhe ju uroj çdo sukses!. Siç e dini, Greqia gjithmonë ka qenë avokat i vazhdueshëm i perspektives Evropiane për Ballkanin Perëndimor, me qëllim të promovimit të stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë të përbashkët, Evropën Jug-Lindore. Jam i bindur se zbatimi i reformave të nevojshme nga ana e Prishtinës, në përputhje me rekomandimet e BE-së, vazhdimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga ana e BE-së, si dhe shmangia e veprimeve që janë në kundërshtim me marrëdhëniet e mira fqinjësore, do të fuqizonte perspektiven tuaj Evropiane. Në këtë drejtim, Greqia do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive aspiratat e popullit të Kosovës”, përfundon telegrami.