Kryesindikalisti i shkarkuar: Drejtori i Policisë e ka punësuar vëllain në KEDS

Rashit Gashi, i cili është përjashtuar nga puna prej KEDS-it, pretendon se të gjithë të larguarit nga kjo ndërmarrje, janë zëvendësuar me njerëz nga politika.

Gashi ka thënë se numri i të përjashtuarve nga KEDS-i ka shkuar mbi 300, të cilët janë zëvendësuar me të afërm, kryesisht të politikanëve.

Ai ka përmendur edhe punësimin e vëllait të drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në KEDS.

Reklama e sponzorizuar

“Janë zëvendësuar me të rinj, e çka është më e keqja që njerëz të fuqishëm në këtë vend, punësojnë pa konkurs. Ka ministra, që kanë punësuar aty familjarë, ka drejtorë të Policisë së Kosovës, që është fatkeqësi jashtëzakonisht e madhe, ka kryeprokurorë që e djalin aty”, u shpreh Gashi, duke shtuar, se ka punësime edhe prej deputetëve, kryetarëve të komunave, gjyqtarëve, etj, tha ai në Express Intervistën në KTV.

Arber Qalaj është vellai i drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili është punësuar në KEDS.

Së fundmi drejtori i Policisë Rashit Qalaj, ka qenë në fokus të publikut për skandalin e gazit lotsjellës, ku Gazeta Insajderi zbuloi se si ai me kërkesë të presidentit Thaçi, përmes ish ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, ia kishte huazuar 500 bombola të gazit lotsjellës Policisë së Shqipërisë, në kohën e protestave masive nga ana e opozitës atje.