Kurti ballafaqohet për herë të parë me Vuçiqin – pritet edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje

Në Konferencën për Siguri që do të mbahet në Mynih të Gjermanisë prej 14-16 shkurt, për herë të parë do të përballen presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilët do të marrin pjesë në një panel të përbashkët.

Këtë gjë e ka konfirmuar vetë presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, në një intervistë për “Sputnik”, transmeton Gazeta Express.

“Albin Kurti do të jetë i pranishëm në panelin e përbashkët në Mynih, ku edhe unë do të jam i pranishëm, kështu do të shohim se si do të jetë atmosfera. Nuk mendoj se do të jetë e hapur për publikun, por më duket se do të jetë një mundësi e mirë për të vlerësuar drejtimin në të cilin mund të fillojnë bisedimet. Kjo është arsyeja pse ky qëndrim në Mynih ka një rëndësi të madhe për ne, sepse do të vlerësojmë se cilët janë hapat e mëtejshëm të qeverisë së Prishtinës, cilët janë hapat e gjermanve, amerikanëve dhe të gjithë të tjerëve në bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Vucic.

Reklama e sponzorizuar

Tutje ai  ka thënë se përgjatë qëndrimit të tij dy ditor në Mynhen të Gjermanisë në kuadër të Konferencës për Sigurinë, pret të takohet edhe me Përfaqësuesin Special të Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Në një intervistë për ‘Sputnik’, Vuçiq ka thënë se në këtë takim me emisarin e Trump do të nënshkruaj edhe marrëveshjen për linjën hekurudhore, që sipas tij do të lehtësojë shumë jetën e qytetarëve.

“Tani do të udhëtojë për në Konferencën e Mynihut për Siguri përgjatë të enjtes dhe të premtes, jam duke pritur edhe për takim me Grenellin, për të nënshkruar marrëveshjen për hekurudhat”, ka thënë Aleksander Vuçiq, transmeton Gazeta Express.

Kreu i shtetit serb ka dhënë edhe një trajektore se kah potencialisht mund të shkojë linja hekurudhore, duke përmendur Kurshumlinë-Merdaren dhe pastaj Prishtinë.

 Përveç takimit me Grenell, Vuçiq ka thënë se do të takohet gjatë marsit edhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Ai ka treguar se e kanë caktuar datën por që nuk mund ta thotë për momentin.

“ Do të takohem me Merkelin në mars, jemi pajtuar për datën e saktë, por nuk mund të ua them akoma”, ka thënë presidenti serb.