Derisa opozita qorton Qeverinë se është vonuar me procedimin e projektligjit për buxhetin për vitin 2020 dhe është duke shkaktuar pasoja të mëdha për vendin, kryeministri Albin Kurti thotë se kjo do të bëhet muajin e ardhshëm.
Edhe pse Qeveria e re është votuar gati një muaj më parë, kryeministri Kurti tha për KosovaPress se nuk janë vonuar për draftimin e buxhetit 2020, teksa shtoi se janë duke përgatitur një buxhet të mirë dhe zhvillimor për vendin.
“Ministria e Financave dhe Transfereve po punon ditë e natë që sa më parë, në muajin mars ta kemi projektligjin për buxhetin e vitit 2020, i cili do të diskutohet në Parlamentin e Kosovës. Nuk mendoj që jemi vonuar, por do të bëjmë projektligj shumë të mirë e të drejtë dhe të dobishëm”, tha Kurti.
Por, shefi i Grupit Parlamentar të PDK, Bedri Hamza thotë për KosovaPress se Qeveria dhe partnerët e koalicionit janë vonuar në krijimin e institucioneve pa asnjë arsye, dhe i kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit me mos miratimin e buxhetit.
Ish-ministri i Financave thotë se ende nuk ka as program qeverisës, dhe kjo nënkupton se kjo qeveri nuk ka as program.
“Vonesat kanë shkaktuar dëm. Buxheti po aprovohet me vonesë. Projektet do të fillojnë me vonesë dhe do të ketë problem në ekzekutimin e buxhetit, sidomos te pjesa e investimeve kapitale. Ne ende nuk kemi programin e punës së Qeverisë, edhe pse është folur shumë s’e është harmonizuar 100 për qind program, por po del që nuk ka program”, tha Hamza.
Ai po ashtu thotë se pozicionimi i Grupit Parlamentar të PDK-së rreth buxhetit 2020 nuk do të jetë kritik pa argumente dhe pa alternativa.
“Ende nuk e kemi marrë draftin e buxhetit, presim, sepse është koha e fundit për këtë. Dhe mbi bazën e asaj çka na ofron qeveria, ne do ta kemi edhe pozicionin tonë. Për momentin, ne nuk mundësi të themi që është buxhet i mirë ose i keq, kur ende nuk e kemi në dorë dhe sigurisht se ne nuk do të pozicionohemi me qenë kritik pa argumente dhe pa alternativa. Ne kemi nevojë të kemi dokumentin mbi bazën e analizave dhe fakteve, me thënë që kjo është mirë ose s’është mirë”, tha Hamza.
Në mungesë të ligjit të buxhetit për vitin 2020, aktualisht vendi është duke shfrytëzuar 1/12 të buxhetit 2019 dhe është miratuar kërkesa e Qeverisë nga Kuvendi edhe për shfrytëzimi e këtij buxheti për muajin mars.
Buxheti për vitin e kaluar ishte rreth 2.3 miliardë euro derisa në mandatin e Qeverisë së re është premtuar se Kosova do të ketë buxhet rreth 3 miliardë.