Qeveria e Albin Kurtit ka shfuqizuar edhe vendimin për përfitimet e ministrave dhe të zëvendësministrave një vit dhe gjashtë muaj pasi ta përfundojnë mandatin.
Kabineti qeveritar i kaluar, do të përfitonte paga sipas një vendimi të marrë nga qeveria e Isa Mustafës në nëntor të vitit 2015.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njofton se përveç shfuqizimit të vendimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për dyfishim të pagave të kabinetit qeveritar, në mbledhjen e sotme të Qeverisë u shfuqizua edhe vendimi për përfitime pas mandatit.
“Dy vendime të padrejta u shfuqizuan në mbledhjen e Qeverisë. Së pari, vendimi i kundërligjshëm i ish Qeverisë për ngritjen e pagave për vete. Ky vendim nuk do të ketë efekt juridik për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Haxhiu.
“Vendimi i dytë që u shfuqizua, ishte ai për pagat që përfitonin kabinetet e ish Qeverive, pas mandatit”, ka treguar Haxhiu.
Gazeta Express ditë më parë ka raportuar për qindra mijëra euro që do të jepeshin për pagat e ministrave dhe zëvendësministrave të Qeverisë Haradinaj edhe pas përfundimit të mandatit të tyre.
Vendimi i vitit 2015 thoshte se ministrat do të merrnin 70 për qind të pagës edhe për një vit, ndërsa zëvendësministrat do të merrnin për gjashtë muaj 70 për qind të pagës.