Zyra e Prokurorit të Specializuar, pas disa vitesh hetime tashmë ka dorëzuar aktakuzat e para pranë Dhomave të Specializuar të Kosovës në Hagë, raporton Televizioni T7.
Të dy lëndët janë dorëzuar nga kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, amerikani Jack Smith, te kryetarja e Dhomave të Specializuar të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.
Rastet bazuar në dokumentacionin e Dhomave të Specializuara, janë dorëzuar me 14 shkurt të këtij viti.
Në vendimin e nxjerrë që mbanë firmën e kryetares së Dhomave të Specializuar, thuhet se njoftimi për këto lënë është paraqitur në mënyrë konfidenciale.
“Njoftimi/informata është paraqitur ne mënyre konfidenciale dhe vendimi i tanishëm do te jete nen te njëjtin klasifikim ne përputhje me Nenin 82 (4) te rregullave, derisa te riklasifikohet ne përputhje me Nenin 3(4) te Rregullave” thuhet në vendim.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafillova, ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit, ku për të dyja rastet si gjyqtar të Procedurës Paraprake, ka caktuar gjykatësin Nicolas Guillou.
Kjo vërtetohet nga dokumenti që mund të gjendet në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Por, kush është gjyqtari i procedurës paraprake i caktuar për tu marr me dy rastet e dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ?
Ai është francezi Nicoals Guillou.
Gjykatësi Gillou, ka një eksperiencë të gjatë në fushën e të drejtës penale.
Ai që nga viti 2015, ka qenë shef i kabinetit të Kryetarit të Tribunalit Special për Libanin. Paraprakisht që nga viti 2012 gjykatësi Nicolas Guillou ka qenë i emëruar si prokuror ndërlidhës i Francës në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka ndihmuar bashkëpunimin gjyqësor midis dy vendeve për çështje penale dhe civile, veçanërisht për kundërterrorizmin, praktikat e korrupsionit në vende të huaja dhe krimin kibernetik.
Gjatë periudhës 2006-2012, gjykatësi Guillou ka shërbyer në poste të ndryshme në Ministrinë e Drejtësisë së Francës si zëvendëskreu i seksionit për të drejtën tregtare, këshilltar për çështje penale dhe këshilltar për çështje diplomatike. Nga viti 2003 deri më 2006, gjykatësi Guillou punoi si gjykatës hetimor në gjykatën e Mosë (Meaux), afër Parisit, ku ka trajtuar çështje të ndryshme penale si vrasje të qëllimshme, krimin e organizuar dhe krimin financiar.
Gjykatësi Guillou ka magjistruar në të drejtën penale ndërkombëtare dhe evropiane nga Universiteti i Sorbonës në Francë.