Kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar sot nga pozita, bordin e Drejtorëve të Ndërrmarjes “Trepça”.
Ky vendim ka ardhur pas propozimit të ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari.
”I propozoj qeverisë që të shkarkoj drejtorët në ndërmarrjen Trepça. Sipas ligjit, qeveria duhet t’i shkarkojë drejtorët kur ka arsye që i kanë shkelur detyrat. Në rastin e Trepçës, bordi ka lejuar veprime që bien ndesh me interesin e ndërmarrjes”, ka deklaruar Hajdari, derisa ka përmendur edhe konkursin e fundit, për të cilën janë mbajtur protesta.
Por, kush ishin gjashtë drejtorët e shkarkuar bordit të Trepçës, që kishin lidhje me njerëz të politikës?
Esat Peci, Feriz Fetahu, Xhafer Nuhi, Shyqeri Sadiku, Ardian Syla dhe Naser Peci janë anëtarët e bordit të Trepçës të cilët u shkakruan nga Qeveria Kurti. Shumica prej tyre kanë lidhje me njerëz të politikës – prej tyre ka ish-kandidat komune, asamblist dhe ish-anëtar të Bordeve të cilët vijnë nga partitë të cilat ishin në qeveri, mandatin e kaluar.
Më 28 dhjetor të 2017-tës, gjatë një konference për media në Mitrovicë, ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka kishte premtuar se nga 140 aplikantët do ta zgjedhin një bord funksional për Trepçën.
“Biseduam për ‘Trepçën’, është përmbyll afati janë 140 aplikantë dhe do ta kemi një bord funksional ta finksiaolizojmë ‘Trepçën’ sepse është shpirti i Mitrovicë”, kishte thënë ministri Lluka asokohe.
Por ky “bord funksional” ishte i mbushur me militantë partiakë. Tre nga gjashtë anëtarët e emëruar dolën të jenë nga partitë politike, raporton Insajderi.
Esat Peci ishte zgjedhur asamblist i AAK-së në Mitrovicë. Ai ishte edhe kandidat i partisë për kryetar të Mitrovicës së Jugut. Madje Peci është edhe kryetar i degës së AAK-së në Mitrovicë.
Kurse Feriz Fetahu, ishte kandidat për asamble të Mitrovicës nga Partia e Fatmir Limajt, Nisma për Kosovën (tash Nisma Socialdemokrate). Ai mbante numrin 2 në listën e certifikuar nga KQZ.
kandidati tjetër, Ardian Syla, ishte anëtar bordi në KUP Prishtina. Ai u emërua anëtar i Bordit të Drejtorëve të KUP “Prishtina” më 30 tetor 2015.
Në biografinë e publikuar në këtë faqe, Syla shkruan se karrierën e tij e ka nisur në Hotel Victory, pronë e biznesmenit Bedri Selmani.
Më pas punën e ka vazhduar në Universitetin Victory deri në përfundim të vitit 2009. Ai në rrjetin social Facebook shihet që shoqërohet me njerëz të PDK-së, e në maj të vitit të kaluar ka postuar foto edhe me kreun e Kuvendit, Kadri Veseli.
Madje Syla gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale shihet edhe në zyrë të shtabit të PDK-së në Prishtinë./Insajderi/