Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i quan të dëmshme dhe të kundërligjshme vendimet për anulimin e tenderit 110 milionësh për Autostradën e Gjilanit dhe bartjen në listën tepricë të ish-sekretarit të kësaj ministrie, Betim Reçica.
Lekaj thotë se ministri Abdixhiku i ka marrë këto vendime për interesa të ngushta klanore dhe partiake. Krahasa saj, për KosovaPress, ai u shpreh se qeveria Kurti po mundohet të shkatërrojë një sistem që është ndërtuar që 20 vite.
“Sa i përket vendimit të ministrit, së pari tek ai duhet të mbizotërojë fuqia e ligjit. Të ndjek procedurat ligjore dhe mos të marrë vendime për interesa të ngushta klanore apo partiake. Nuk mendoj që ministri dhe qeveria Kurti kanë ardhur për të shkatërruar një sist em që e kemi ndërtuar që 20 vite dhe t’i atakojë vendimet. Ajo që mund të them se qeveria është konutitet dhe jo që do të fillojë gjithçka nga fillimi. Ne, nëse mendojmë që të zhvillojmë të gjitha proceset dhe të niset nga unë atëherë kemi gabuar dhe kemi dështuar pasi jemi duke atakuar një sistem të shërbyesve civilë dhe në këtë rast të projekteve. Në këtë rast mendoj se askush nuk ka qenë i çmendur të merr një vendim, një procedurë pa e pas mbështetjen e kornizës buxhetore afatmesme dhe ligjore. Kështu që, po del në pah interesi i klaneve dhe kësaj qeverie. Nuk ka bërë mirë, qytetarët do të thonë. Unë kërkoj nga organet kompetente që të thonë të veten”, thotë Lekaj.
Duke folur për bartjen në listën tepricë të ish-sekretarit në Ministrinë e Infrastrukturës sa drejtonte, Lekaj paralajmëron se Reçica do të apelojë këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese.
“Vendimet e Qeverisë si tepricë janë disa ligje që e mbrojnë shërbyesin civil. Në këtë rast sekretarin e shtetit. Është kushtetuese që nuk ke të drejt për teke individuale të largosh dikë. Prandaj unë mendoj që vet sekretari do të apelojë këtë vendim”, thotë ai.
Për projektet që ishin paraparë në Qeverinë Haradinaj, si ai i Autostradës së Dukagjinit, deputeti aktual i AAK-së thotë se do të kundërshtojnë çdo vendim që merret kundër autostradës.
“Është e pavend që të atakohen 624 mijë banorë të asaj ane. T’i qitësh si nuk ekzistojnë në Kosovë. Ne jemi këtu për të kundërshtuar edhe këtë vendim që është i pavend. Qytetarët e asaj ane janë mjaft të mllefosur”, thotë ai.
Javën e kaluar, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku anuloi tenderin prej 110 milionësh për Autostradën e Gjilanit. Si dhe qeveria në mbledhjen e fundit gjithë sekretarët e përgjithshëm të ministrive që janë prekur nga riorganizimi i vendosën në listën tepricë të shërbyesve civilë.