Lidhja Demokratike e Kosovës, këtë të diel do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ku pritet të hidhet në votim propozimi për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Burime të Gazeta Blic brenda LDK-së, kanë bërë të ditur se në mbledhjen e nesërmë të Këshillit të Përgjithshëm, do të votohen edhe ministrat eventual që do të jenë nga ana e Lidhjes Demokratike.
Sipas këtij burimi, i propozuar për të qenë zv.kryeministër në qeverinë eventuale të udhëhequr nga Albin Kurti, është ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Udhëheqës i Ministrisë së Infrastrukturës, është propozuar të jetë Lutfi Zharku, teksa për ministër të Mbrojtjes figurojnë dy emra, ai i Arben Gashit dhe Anton Qunit.
Me ministrinë e Arsimit, është propozuar të udhëheq Kujtim Shala.
Një çështje problematike është vendosur tek ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Bujqësisë.
Gazeta Blic, merr vesh se nëse vendoset si kriter që kryetarët e komunave, të mund të zhvendosen si ministra në qeveri, atëherë për Ministër të Punëve të Brendshme, janë përmendur tre emra: Agim Veliu, Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti.
Kryetari aktual i Vitisë, Sokol Haliti, është propozuar si Ministër i Bujqësisë, por pritet që nesër të vendoset se a kanë të drejtë kryetarët e komunave, të zhvendosen nëpër ministri.
Në rast të ndonjë vendimi nga ana e Këshillit të Përgjithshëm, që kryetarët aktualë të komunave, mos të përfshihen në qeverinë e ardhshme, atëherë ky burim i Gazetës Blic, ka thënë se Arben Gashi, është emri i përmendur për Ministër të Punëve të Brendshme.
Ndërsa, Vjosa Osmani, pritet ta zë pozitën e kryetarit aktual të Kuvendit, Glauk Konjufca.
Kurse, gjatë ditës, Gazeta Blic, raportoi që në rast të marrëveshjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, do ti ketë ministra, shumicën e emrave të propozuara kohë më parë nga kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.
Përjashtim bën, posti i ministrit të Punëve të Jashtme, i cili në bazë të draft-marrëveshjes aktual, pritet t’i takojë Glauk Konjufcës, pasi që ky i fundit, pritet të jap dorëheqje nga kreu i Kuvendit.
Ministrat tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje, që pritet të jenë pjesë e qeverisë Kurti, nëse do të votohet të hënën, do të jenë: Arben Vitia – Ministër i Shëndetësisë, Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, Besnik Bislimi – Ministër i Financave dhe Transfereve, Rozeta Hajdari – Ministre e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë dhe zv.kryeministër i dytë, pritet të jetë Haki Abazi.
Lëvizja Vetëvendosje, gjatë ditës ka dalur me qëndrim zyrtar, duke konfirmuar se janë intensifikuar bisedimet me zyrtarë të LDK-së, por që siç kanë thënë ata në momentin kur do të ketë marrëveshje, do të njoftohet opinioni publik.
Më i qartë, ka qenë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili u shpreh se gjatë ditës së nesërme do të nënshkruhet koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ndërsa, dorëheqjen e Glauk Konjufcës nga pozita e kryetarit të Kuvendit, e ka konfirmuar për Klan Kosova, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.