Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për skenarët e zgjidhjes së ngërçit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Haziri ka thënë se marrëveshja mes LDK-së dhe LVV-së është arritur pa ndonjë ndërmjetësim ndërkombëtar.
Ai ka thënë se përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, vetëm ka përcjellë mesazhin e BE-së që institucionet të formohen sa më shpejt, por nuk ka ndikuar në marrëveshje.
Nënkryetari i LDK-së ka deklaruar në Rtv Dukagjini se takimi me Besnik Bislimin e LVV-së, që kishin pasur pas takimit me Borrelin, ka qenë përcaktues për arritjen e marrëveshjes.
Haziri thotë se me Vetëvendosjen i kanë diskutuar 19 opsione për arritjen e marrëveshjes për koalicion.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, ai thotë se kreu i LDK-së, Isa Mustafa, dhe ai i LVV-së, Albin Kurti, janë dakorduar që propozimi të vjen nga LDK.
Haziri ka thënë se Isa Mustafa ka kërkuar nga zyrtarët e LDK-së që të mos lakohet emri i tij dhe as emra tjerë për president deri sa të vijë afatet kushtetuese, përcjell Telegrafi.
Haziri ka thënë se megjithatë askush nuk ka dyshim në LDK se Isa Mustafa do të ishte i nominuari për president nëse ato zgjedhje do të bëheshin nesër.
I dyti i LDK-së megjithatë ka thënë se mënyra se si do të veprojë Lista serbe në zgjedhjen e presidentit do të ketë shumë rëndësi në këtë proces.
“Lista Serbe nuk është pjesë e koalicionit dhe mënyra se si do të veprojnë ata do të jetë shumë me rëndësi në këtë proces”, tha Haziri.