Ani pse javët e fundit Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë intensifikuar thirrjet për rinisjen e dialogut dhe për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë – Serbi, spektri politik në Kosovë po vazhdon të jetë i përçarë rreth këtij procesi. Derisa Qeveria ka paralajmëruar heqjen e taksës dhe vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, subjektet opozitare nuk i kanë dhënë mbështetje këtij opsioni, shkruan sot gazeta Zëri.
Përfaqësuesit e taborit opozitar kanë kritikuar Qeverinë për mossqarim të mjaftueshëm rreth reciprocitetit të paralajmëruar. Në anën tjetër përfaqësuesit e partive në pushtet, të LVV-së dhe të LDK-së, nuk kanë dhënë ndonjë afat konkret se kur do të hiqet përfundimisht tarifa 100 për qind dhe kur do të vendoset masa e reciprocitetit, ndonëse kanë pohuar se një gjë e tillë do të ndodhë së shpejti. Në tryezën “Dialogu Kosovë – Serbi: Çfarë pas formimit të qeverisë së re dhe përfshirjes amerikane?”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përfaqësuesit e partive në pushtet thanë dje se qeveria e re duhet të ketë objektiva të qarta në procesin e negociatave. Në kuadër të kësaj, siç ata u shprehën, nuk duhet assesi të ketë diskutim rreth hartave, rrjedhimisht territori i Republikës së Kosovës duhet të jetë i panegociueshëm.
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përsëritur disa parime, të cilët duhet të kihen parasysh gjatë negociatave me Serbinë, duke përfshirë këtu edhe pikën ku nuk lejohet diskutimi për territore. Gjatë tryezës së mbajtur gjatë ditës së djeshme deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, tha se Qeveria është e gatshme t’i përballojë sfidat që lidhen me dialogun, ndonëse konsideroi se ky proces nuk është fare i lehtë. Pala kosovare para së gjithash, siç ai është shprehur, duhet t’i ketë parasysh disa parime të qarta. “Në këtë dialog nuk mund të ketë marrëveshje pa dialoguar. Natyrisht se ne besojmë në marrëveshje, por jo pa dialoguar, pa u shqyrtuar secila rrethanë. Nuk besojmë se problemet e komplikuara bëhen me zgjidhje të menjëhershme ose të përshpejtuara, sepse kjo mund ta komplikojë procesin”, ka theksuar ai.
Ndaj kërkesat e Kosovës sipas Abrashit duhet të jenë të panegociueshme gjatë bisedimeve. “Në këto marrëveshje nuk bën të ketë harta, pra territori i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm”, ka potencuar ai.
Gjatë deklaratës së tij deputeti i LVV-së ka thënë se rreth procesit të dialogut duhet të arrihet një unitet pozitë e opozitë. Ndërkohë ka theksuar se taksa do të hiqet tek atëherë kur të krijohen kushtet për zbatimin e reciprocitetit ekonomiko-politik me Serbinë. “Fillimisht duhet të bëhen analizat, të bëhet një skanim i gjendjes se si qëndrojmë brenda sektorëve të ndryshëm, që drejtpërdrejt do t’i ndikojë ky reciprocitet, pastaj në një kohë të përshtatshme, jo shumë vonë, edhe do të synojmë ta vendosim këtë masë”, ka shtuar ai.