Mbi 200 mjek kërkojnë vërtetime për punë jashtë shtetit, mungesa e specialistëve mbyllet një ordinancë në Gjakovë

Ikja e mjekëve nga Kosova dhe mungesa e specialistëve ka bërë që reparti i Oftalmologjisë në Qendrën e Mjekësisë Familja, në Gjakova, të mbyllet. Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla ka thënë se pritet që të mbyllen edhe reparte të tjera në katër komuna, për shkak të mungesës së specialistëve. Oda e Mjekëve të Kosovës ka alarmuar se vetëm për dy vjet mbi 200 mjekë kanë kërkuar vërtetime për punë jashtë vendit.

Reparti i Oftalmologjisë (Sëmundjeve të syrit) në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë është mbyllur në mars të vitit të kaluar, kjo për shkak të daljes në pension të oftalmologut që ka punuar aty për shumë vjet.

Ndonëse, drejtuesit e Spitalit të Gjakovës kanë shpallur konkurs për të siguruar punësimin e oftalmologut në këtë repart, por nuk ka aplikuar asnjë mjek, shkruan Gazeta Insajderi.

Reklama e sponzorizuar

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla ka thënë për Gazetën Insajderi, se në vitet në vijim pritet të mbyllen edhe reparte tjera, e kjo për shkak të plakjes së kuadrit dhe ikjeve të mjekëve drejt vendeve të perëndimit.

“Numri i reparteve nëpër spitale si për shembull Gjakove dy janë mbyllur kurse edhe dy vitet në vijim priten të mbyllen. Për tjerat jemi në hulumtim. Këtu duhet shtuar edhe rreziku i cili po u kaset spitaleve për shkak te plakjes se kuadrove dhe ikjes së mjekëve”, ka thënë Syla.

Rreziku për mbylljen e reparteve mjekësore ka kapluar edhe katër komuna tjera në Kosovës. Mjekësia primare në komunat e Hanit të Elezit, Kaçaniku, Junik dhe Kamenicës ka filluar të ketë një mungesë enorme të mjekëve familjar dhe specialistëve.

“Në mjekësi primare në komunat e Hanit të Elezit, Kaqanik, Junik dhe Kamenice kemi munges enorme te mjekëve familjare dhe specialistëve rrjedhimisht këto shërbime munde të mbyllen. Të mos flasim për qendrat më të vogla”, ka thënë Syla për Insajderin.

Sipas Sylës, shkaktari kryesor i kësaj dukurie është ikja e mjekëve, mos dhënia e specializimeve dhe pasiguria profesionale.

“Pra arsyet janë perspektiva jo e mire në këto qendra, mos dhënia e specializimeve, mos stimulimi i mjekëve të rijnë dhe pa siguria profesionale”, ka shtuar Syla.

Gjithashtu, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë ka pasur mungesë të gjinekologut, sepse deri vonë në këtë qendër nuk kishte aplikuar asnjë gjinekolog që të punojë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, komuna e Kamencës, është obliguar që të sjellë një gjinekolog nga komuna e Gjilanit për t’i kryer shërbimet pacienteve.

“Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë ka pasur mungesë të gjinekologut, sepse deri vonë në këtë qendër nuk kishte aplikuar asnjë gjinekolog që të punojë, por Komuna ka bërë një zgjidhje duke e angazhuar një gjinekolog nga Gjilani”, thuhet në përgjigjet e MSH-së dhënë Insajderit.

Kurse, repartit të Oftalmologjisë në Gjakovë sipas MSH-së, në ndihmë i ka dalë Instituti i Mjekësisë së Punës në Gjakovë.

“Që të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve, këtij spitali në ndihmë me shërbime i ka dalë Instituti i Mjekësisë së Punës në Gjakovë, i cili ka dërguar oftalmologun e tyre që t’u ndihmojë”, thuhet me tej.

Sipas Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar, në QKUK nuk është mbyllur asnjë shërbim, apo repart në mungesë të mjekëve

“Ju informojmë se në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nuk është mbyllur asnjë shërbim, apo repart në mungesë të mjekëve. Po ashtu, në 7 spitalet e përgjithshme, puna është duke vazhduar normalisht”, thuhet në përgjigjet e SHSKUK-së dhënë Insajderi.

OMK: Për dy vite mbi 200 mjekë kanë kërkuar vërtetime për punë jashtë vendit

Në dy vitet e fundit mbi 200 mjekë kanë kërkuar vërtetime për punë jashtë vendit. Ikja e mjekëve nga Kosova po dëshmohet nga numri i kërkesave për Certifikata mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale.

Në Odën e Mjekëve të Kosovës i kanë thënë Gazetës Insajderi se vetëm gjatë dy viteve të fundit 218 mjekë kanë kërkuar vërtetime për punë jashtë vendit.

“Gjatë vitit 2019, pran OMK-se janë parashtruar 108 kërkesa nga mjeket për Certifikatën e pastërtisë etiko-profesionale, kurse për vitin 2018 janë lëshuar 110 vërtetime”, kanë deklaruar nga OMK.

Sipas OMK-së, arsyeja kryesore e ikjeve të mjekëve drejt perëndimi janë pagat e vogla, kushtet e punës dhe mungesa e specializimit.

“Arsyet kryesore e largimit te mjekeve të rijnë nga Kosova janë mungesa e punësimit, mungesa e specializimit, pagat e vogla dhe kushtet e punës”, thuhet në përgjigjet e OMK-së dhënë Insajderit.

Tutje, nga Oda e Mjekëve të Kosovës kanë thënë se  Ministria e Shëndetësisë  ka arritur që çështjen e pagave ta rregulloj por fatkeqësisht Avokati i Popullit dhe Gjykata Kushtetuese kanë bërë të pamundur ekzekutimin e këtij ligji.

Kurse, çështja e punësimit pjesërisht është trajtuar nga Ministria, por sipas OMK-së duhet një koordinim më i mirë në nivelin komunal dhe përkushtim me i madh i qeverisë qendrore dhe Ministrisë së Financave.

Përveç largimi të mjekëve, Kosova po përballet edhe me një numër të madh të mjekëve të papunë. Janë gjithsej 648 mjekë që figurojnë të papunë në Kosovë deri më tani.

“Të dhënat pran OMK kanë deklaruar se janë 648 mjekë të lajmëruar si të pa punë, ky është numër që nuk përfshinë stomatologet”, thuhet në përgjigjet e OMK-së.

Sipas OMK-së, Kosova shumë shpejtë do të ndjejë mungesën e mjekëve.

“Nëse ju referohemi shkollave të gjuhëve të huaja atje janë me qindra mjek që janë duke mësuar gjuhen gjermane pra janë “kandidat potencial” për largim nga Kosova. Ky fakt tregon se Kosova shumë shpejt do ndjeje mungesën e mjekeve”, kanë deklaruar nga OMK.

OIK: Numri i infermierëve që po e lëshojnë Kosovën po rritet

Viteve të fundit nga Kosova nuk janë vetëm mjekët të cilët kanë ikur por edhe infermierët. Numri i tyre për një vit ka shënuar rritje për 99 për qind në krahasim me vitin 2018.

Në Odën e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësorë i kanë thënë Gazetës Insajderi se numri i infermierëve që po aplikojnë për punë jashtë vendit ka shkuar në 115.

“Duke u bazuar në të dhënat që i kemi nga 1 janar 2019 deri më datën 31 dhjetor 2019,  Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë ka lëshuar gjithsej 115 vërtetime për Licencim, Ri-licencim dhe për Kod Etik të cilat janë kërkuar për punë jashtë vendit”, thuhet në përgjigjet e OIK-së.

Ndërkaq gjatë vitit 2018 ky institucion ka lëshuar gjithsej 16 vërtetime të tilla, të domosdoshme për punë jashtë vendit.

Sipas OIK-ut, këto vërtetime kryesisht kërkohen për Kodin Etik, e ku vërtetohet nëse infermierët gjatë shërbimit të tyre në Kosovë kanë pasur sjellje të keqe etike apo thyerje të Kodit Etik.

Siç shihet nga statistikat evidentohet një rritje e lartë sa i përket kërkesave të infermierëve për punë jashtë vendit.

Ndërkohë, Gjermania është shteti që ka nevojë për rreth 70 mijë infermierë dhe këtë mungesë mund ta kompensojë vetëm me ardhjet nga vendet tjera. Kështu kishte deklaruar në Prishtinë ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn.

“Unë kam dëgjuar se do të mund të ketë përkrahje në praktike në fushën e sigurimit shëndetësor. Po ashtu, shtrohet pyetja, në rast të një situate emergjente, kur një person nuk është në gjendje të mbulojë shpenzimet financiare, atëherë do t’i ofrohet ndihma. Ne kemi nevojë për rreth 70 mijë infermierë. Këtë numër të madh të infermierëve që na duhen mund ta arrijmë vetëm me ardhjet nga vendet tjera, dhe Kosova është shteti i parë me të cilën nënshkruam marrëveshje të kësaj natyre”, u shpreh ai.

Fakulteti i Mjekësisë: Rritet numër i studentëve për të studiuar mjekësi dhe infermierinë

Mundësia e sigurimit të kontratave të punës në Gjermani për infermier e mjekë, ka bërë që edhe numri i studentëve që e studiojnë mjekësinë në Kosovë të rritet.

Për tre vite rreth 2 mijë studentë kosovar kanë diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, shkruan Gazeta Insajderi.

Vetëm në vitin 2017, rreth 663 student kanë diplomuar, prej tyre 222 në fushën e mjekësisë, 70 në fushën e Stomatologjisë, 65 farmacisë, 106 në fushën e Fizioterapisë , 66 në fushën e mamisë dhe 133 në fushën e infermierisë.

Kurse, gjatë vitit 2018 kanë diplomuar rreth 600 studentë, prej tyre 250 në fushën e mjekësisë, 44 në fushën e Stomatologjisë, 57 farmacisë, 122 në gushën e Fizioterapisë , 45 në fushën e mamisë dhe 82 në fushën e infermierisë.

Ndërsa, në vitin 2019 kanë diplomuar rreth 603 studentë, prej tyre 308 në fushën e mjekësisë, 63 në fushën e Stomatologjisë, 48 farmacisë, 112 në gushën e Fizioterapisë , 14 në fushën e mamisë dhe 58 në fushën e infermierisë. /Insajderi.com