Objektet e 9 shkollave në komunën e Istogut dhe në pesë të tjera në komunën e Pejës, pritet, që me mjetet e ndara të mërkurë nga Qeveria e Kosovës, në ditët e ardhshme të nis sanimi i dëmeve të shkaktuara nga era javën e kaluar.
Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 430 mijë euro për komunën e Pejës dhe Istogut, respektivisht 297 mijë euro janë ndarë për komunën e Pejës, ndërsa më shumë se 136 mijë euro janë ndarë për Istogun, raporton Koha Ditore.
Në komunën e Pejës era kishte shkaktuar dëme në gjashtë shkolla, por në Gjimnazin “Bedri Pejani”, komuna kishte intervenuar dhe kishte sanuar dëmet në kulmin e shkollës, kurse në pesë shkollat tjera, që era ua ka hedh në tokë kulmet, shkolla e mese ekomomike “Ali Hadri” dhe shkollat fillore në fshatrat Novosellë, Treboviq, Brestovik dhe Ozdrim, pritet që sa më shpejtë të sanohen me mjetet e ndara nga qeveria, pasi në këto shkolla, në rast të reshurave të mëdha të shiut apo borës, mund të ndërpritet mësimi për shkak se uji mund të depërtojë brenda objekteve.
Drejtoria e Arsimit me komisionin e saj kishte identifikuar dhe vlerësuar dëmet në objektet shkollore dhe sipas analizave që i kanë bërë inxhinierët e komunës bashkë me ata të nivelit qendror, vlera e dëmit në këto shkolla është mbi 280 mijë euro. Në bazë të kësaj shume të dëmeve të vlerësuar, siç thonë në komunën e Pejës edhe i janë ndarë mjetet nga qeveria.
“Këto mjete janë ndarë në bazë të raporteve në bazë të vlerësimeve të komisioneve komunale. Prioritet për sanim janë shkollat, sepse mësimi duhet të vazhdohet, pasi në dy shkolla fillore ende mësimi nuk është duke u zhvilluar. Gjithashtu prioritet është edhe qendra rekreative –sportive në fshatin Brestovik, e cila duhet sanuar, pasi dëmet që janë bërë aty nga era, janë jashtëzakonisht të mëdha”, tha shefi i kabinetit të kryetarit të kësaj komune, Durim Shermeti. Për dëmet tjera që ka shkaktuar era në këtë komunë ende është në proces evidentimi dhe vlerësimi i tyre.
Ndërsa në komunën e Istogut era kishte dëmtuar 13 shkolla, prej të cilave, siç tha drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Rugova, komuna i ka sanuar me mjete te veta katër, si dhe shtëpinë e shëndetit. “Ministria e Arsimit i ka ndarë këto mjete për sanimin e dëmeve nëpër shkolla. Pra vetëm për shkolla, e jo për diçka tjetër. Ne i kemi bërë paramanat e dëmeve në shkolla dhe besoj që do të dalin këto mjete për sanimin e dëmeve në shkolla. Në komunën e Istogut kanë qenë të dëmtuar 13 shkolla. Katër shkolla i kemi sanuar me mjete komunale. Prej shkollave që kanë mbetur për tu sanuar, tri shkolla janë shumë të dëmtuar, e tjerat më pak”, tha Rugova.
Në këtë komunë i akne përfunduar edhe evidentimin dhe vlerësimin e gjitha dëmeve që i ka shkaktuar era brenda dy ditëve gjatë javës së kaluar. Dëmi i përgjithshëm është rreth 1 milion e 804 mijë euro. Për dëmet tjera, si në bujqësi, shtëpia private, banesa kolektive, objektet publike, infrastrukturë… duhet të pritet tash, edhe pse dëmet janë shumë të mëdha, sidomos në bujqësi dhe nëpër shtëpia”, tha Rugova.
Sipas tij, vetëm në sektorin e bujqësisë dëmet kalojnë 623 mijë euro. Kurse dëmi nëpër shtëpia është mbi 500 mijë euro.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten e kaluar i kishte vizituar këto komuna, të cilave u kishte premtuar mbështetjen e qeverisë për daljen në ndihmë për sanimin e dëmeve, me prioritet objektet shkollore dhe rastet emergjente.