Qeveria e Kosovës ka votuar të premten për shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”.
Pas shkarkimit të gjashtë anëtarëve të Bordit të ish gjigantit Trepça nga ana e qeverisë së vendit, ka reaguar Arsim Musa, nga këshilli protestues, mirëpriti vendimin e qeverisë duke e quajtur atë si një vendim shumë të drejtë.
Megjithatë, në një prononcim për KosovaPress, ka bërë të ditur se pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka marrë premtime se deri të hënën do të bëhet shkarkimi edhe i menaxhmentit të kësaj ndërmarrje, si dhe anulimi i konkursit.
Sipas tij, protestat nuk do të ndalen deri në shkarkimin e menaxhmentit dhe anulimin e plotë të konkursit.
“Është marrë një vendim shumë i drejtë, një vendim pak me vonesë, por i duhur. Ne jemi falënderues ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Zhvillimit Ekonomik, Rozeta Hajdari, të cilët kanë bërë në mënyrë të ligjshme shkarkimin e Bordit të Trepçës. Ne dje kemi qenë në takim prej rreth 40 minutash te kryeministri Albin Kurti së bashku me këshillin protestues. I kemi shpjeguar disa gjëra, materiale dhe faktet që i kemi, me përpikëri të gjitha. Kryeministri ka premtuar që më së largu deri të hënën në mëngjes, të shikohet ana ligjore e procesit, që të shkarkohet menaxhmenti dhe konkursi të bihet në zero. Protestat nuk do të ndërpriten deri sa ky menaxhment me konkurs të largohet prej aty”, ka thënë Musa.
Esat Peci, Feriz Fetahu, Xhafer Nuhi, Shyqeri Sadiku, Ardian Syla dhe Naser Peci janë anëtarët e bordit të Trepçës të cilët u shkarkuan nga Qeveria Kurti.
Ky vendim ka ardhur pas propozimit të ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari.
”I propozoj qeverisë që të shkarkoj drejtorët në ndërmarrjen Trepça. Sipas ligjit, qeveria duhet t’i shkarkojë drejtorët kur ka arsye që i kanë shkelur detyrat. Në rastin e Trepçës, bordi ka lejuar veprime që bien ndesh me interesin e ndërmarrjes”, ka deklaruar Hajdari, derisa ka përmendur edhe konkursin e fundit, për të cilën janë mbajtur protesta.