Në kontekstin e politikës së Qeverisë për decentralizimin e iniciuar në vitin 2008, sektori i shërbimeve sociale në vend është përballur me ndryshime dramatike.
Decentralizimi është bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje lokale 2008, Ligjin për financat e pushtetit lokal të vitit 2008 dhe të një memorandumi të mirëkuptimit të vitit 2009.
Sipas këtyre ligjeve, në janar 2009, komunat u bënë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve familjare dhe shërbimeve sociale. Megjithatë, në praktikë nuk u transferuan të gjitha kompetencat, duke përfshirë edhe shërbimet e veçanta të ofruara për fëmijët, personat e moshuar dhe personat me aftësi të kufizuar.
Njohësit e kësaj fushe thonë se shërbimet sociale që marrin familjen në nevojë nuk plotësojnë as nevojat minimale, ku për familjen me një anëtar ndahen 60 euro dhe për familjen 15-anëtare 180 euro.
Vehbi Mujku nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale, thotë se shërbimet sociale në Kosovë pas decentralizimit kanë dështuar, e krejt kjo sipas tij për faktin se këto shërbime kanë kaluar nëpër komuna dhe këto të fundit nuk kanë qenë në gjendje t’i menaxhojnë siç duhet.
Mujku tha për KosovaPress se rreth 25 mijë familje janë vartës të asistencës sociale, dhe shuma të cilën e përfitojnë është e pamjaftueshme për jetesë.
“Shërbimet sociale në Kosovë pas decentralizimit kanë dështuar, pikërisht për faktin se të gjitha kompetencat kanë kaluar në nivel komunal dhe komunat nuk kanë qenë të përgatitura që të menaxhojnë me shërbimet sociale në përgjithësi. Kjo ndodh edhe sot dhe raportet e fundit tregojnë qartë se kërkesa e komunave dhe zyrtareve të qendrave për punë sociale është që të kthehen nën menaxhimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Në Kosovë janë diku rreth 25 mijë familje apo rreth 100 mijë anëtarë, të cilët janë vartës të asistencës sociale, dhe shuma të cilën ata e përfitojnë në muaj është jashtëzakonisht e vogël dhe nuk përmbush për së afërmi kriteret për sigurimin e ekzistencës së një familjeje”, shprehet Mujku.
Ai thotë se një familje 5-anëtarëshe përfiton rreth 107 euro në muaj ose rreth 21 euro për anëtar, apo rreth 75 centë për një anëtar të familjes në ditë.
Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare pranë MPMS, Mentor Morina tha për KosovaPress, se shërbimet sociale për 2008 kanë qenë 40 euro për familje me një anëtar dhe rreth 80 euro për familjen me 15- anëtarë, ndërsa në vitin 2020 për familjen një anëtar është 60 euro dhe atë 15-anëtarë është 180, rritje kjo e cila nuk është në nivelin e duhur.
“Në vitin 2008 kjo shumë ka qenë 40 euro për familje një anëtaresh dhe rreth 80 euro për familjen 15 anëtaresh. Tani, në vitin 2020 nga rritja që ka ndodhur e fundit, kemi për familjen një anëtarësh 60 euro dhe për familjen 15 anëtarësh 180 euro. Nuk mund të themi që realisht janë në nivelin e kënaqshëm ato që ne synojmë, por në aspektin e të arriturave dhe zhvillimeve ka pasur progres, megjithatë ka nevojë shumë. Sfida dhe shqetësimi kryesor është dobësimi i pozicionit apo mos trajtimi me prioritet i qendrave për punë sociale nga autoritetet komunale që ne i kemi synuar t’i fuqizojmë përmes procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale. Megjithatë, mos trajtimi me prioritet dhe mos mbështetja financiare ka dërguar në drejtim ndoshta të dobësimit të këtyre institucioneve”, tha Morina.
Qytetarët shprehen të zhgënjyer nga mos përkujdesja që ofron sh teti për këto kategori, pasi shumat e parapara nuk mjaftojnë as për blerjen e barnave e lëre më për nevoja të tjera elementare për jetesë
Fekë Sadikaj, thotë se Qeveria e Kosovës e ka lënë pas dore këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë, por ai shpreson se me qeverinë Kurti kjo gjendje do të përmirësohet.
“Në raport me shtrenjtimet jetësore është nën çdo nivel. Ajo nuk mjafton për ekzistencë as minimale. Qeveria i ka lënë pas dore si të gjitha dikasteret tjera, i ka shkatërruar dhe ata janë shumë të goditur. Lartësia e pagës minimale në Kosovë është shumë e ulët, nuk janë marrë me atë çështje. Qeveria e re ka përpjekje për të përmirësuar, por duhet kohë, pasi që ka trashëguar probleme të rënda financiare dhe nuk ka shkop magjik që të zgjidhë problemet e trashëguara ashtu qysh i kërkon nevoj a”, tha Sadikaj.
Edhe qytetari tjetër Fehmi Preniqi thotë se ndihma sociale është e pamjaftueshme, pasi qeveritë e deritanishme nuk kanë punuar sa duhet për këto kategori të rrezikuara të shoqërisë.
“E vetmja ndihmë vjen prej Zotit se prej këtyre që i kem në udhëheqësi Zoti i ruajt. Çfarë ndihma sociale nuk ka kurrgjë hiq. Rinia shkoi, ne pleqtë mbetem këtu dhe kjo është historia. Shpresoj se të rinjtë e merrni në dorë dhe shpresoj që Zoti të na jep të mbarën…Kurrgjë hiq, sa për barna, fjalë boshe premtime të kota që 20 vjet, megjithëse edhe këta 12 vjet kurrgjë hiq, po sido që të jetë shqiptarët i ka mbajtur shpresa. Mendoj se shpresa e bën të veten”, tha ai.
Aspak i kënaqur me shërbimet sociale nuk ndihet as Halil Doda, i cili thotë se shuma e parave që ai merr nuk i dalin as për barna.
“Veç sa për të jetuar, dikujt nuk i dalin as për barna…Jeta është qysh ki ashtu vepron sipas kushteve”, tha Doda.
Sistemi i mbrojtjes sociale para shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, fillimisht nga vitet 1999-2000 ishte në një fazë të reagimit emergjent ndaj krizës, regjim ky jo mirë i koordinuar, ku një numër i madh OJQ-ve ndërkombëtare e vendore, shpërndanin ndihma humanitare, kryesisht në ushqim për një numër të madh të popullsisë.
Vitet 2000-2002 ishin fazë e përkohshme, ku UNMIK-u udhëhiqte një konzorcium të OJQ-ve dhe donatorëve ndërkombëtarë për krijimin e sistemit të rrjetit të sigurisë së asistencës sociale të administruar nga UNMIK, derisa MPMS u themelua në vitin 2001 dhe katër vjet më vonë nxjerr Ligjin për Shërbime Sociale e Familjare, me të cilin për herë të parë në Kosovë vendoset baza ligjore për rregullimin e shërbimeve sociale.
Disa nga evidencat e m os zbatimit të suksesshëm të decentralizimit janë se komunat nuk kanë hartuar strategji apo plane vjetore për avancimin e shërbimeve sociale në komunat e tyre dhe në mungesë të grantit specifik, çështja e financimit të avancimit të shërbimeve sociale ka mbetur në vullnet të lirë politik të komunave, i cili në shumicën e tyre ka dështuar./KsP.