Ndërkohë që pritet të ngritën aktakuzat e para Prokuroria e Dhomave të Specializuara, mbi 61 mijë euro fatura ka paguar Ministria e Drejtësisë për personat e intervistuar nga Specialja. Ministria e Drejtësisë nuk ka treguar saktësisht se për çka janë paguar këto mjete.
Ministria e Drejtësisë ka paguar rreth 61 mijë euro, për disa nga personat e intervistuar nga Prokuroria e Specializuar që funksionon në kuadër të Dhomave të Specializuara, me seli në Hagë.
Gazeta Insajderi ka kërkuar qasje në faturat e shpenzimeve të fondit për mbrojtjen nga Gjykata Speciale, por Ministria e Drejtësisë, ka treguar vetëm shumën e shpenzuar jo edhe detajet e thera të shpenzimeve.
Sipas përgjigjes së MD-së, Qeveria me dy vendime, kishte ndarë 70 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të të ftuarve nga Specialja. Nga kjo shumë janë shpenzuar rreth 61 mijë euro ndërsa mbi 9 mijë euro i janë kthyer buxhetit.
“Sipas vendimit të Qeverisë nr. 14/94, janë shpenzuar mjete në shumën prej 40,000.00 €;
Sipas vendimit të Qeverisë nr. 10/88 janë shpenzuar mjete në vlerën prej 30,000.00 € ( sipas paragrafit 3 pika 3.1;3.2 dhe 3.3 ); Shuma prej 9.187.00 € sipas vendimit nr. 10/88, paragrafi 3 pika 3.1 janë kthyer mjetet në Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Kjo ministri nuk ka ofruar qasje të drejtpërdrejtë në faturat e kërkuara nga gazeta, por ka dhënë informacione rreth shpenzimeve, që përfshijnë periudhën deri në fund të vitit 2019.
Rrjedhimisht nuk dihet se për cilët nga të ftuarit e Speciales janë paguar gjithë këto para, e as për çfarë saktësisht.
“Ministria e Drejtësisë ka ekzekutuar vendimet e Qeverisë duke ofruar shërbime teknike, pasi që mjetet sipas vendimeve të sipërshënuara janë të ndara nga kategoria Rezerva-Shpenzime të paparashikuara kodi 232-13100”, thuhet në përgjigjen për Insajderin.
Pavarësisht kësaj, Gazeta Insajderi pati raportuar para disa muajsh se si Qeveria e Kosovës, kishte ndarë fiks 70 mijë euro për mbrojtjen e katër të dyshuarve në Gjykatën Speciale.
Kjo shumë ishte ndarë për Sylejman Selimin, Sami Lushtakun, Mahir Hasanin dhe dajën e kryeministrit Ramush Haradinaj, Lahi Ibrahimaj.
Që të tre këta komandantë kanë të deklaruar pasuri milionëshe.
Vendimet e qeverisë për ndarjen e këtyre 70 mijë eurove nuk u patën bërë publike. Por Insajderi, kishte siguruar ato vendime.
Në vendimin e datës 19 mars, Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 mijë euro për mbrojtjen e Lahi Ibrahimajt, dajës së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Në vendim saktësohet se kjo shumë parash është ndarë për “procesin e Dhomave të Specializuara”, shkruan Insajderi.
Brahimaj ishte intervistuar më 1, 2 dhe 3 mars të vitit 2019, lidhur me dyshimet për krime gjatë luftës në Kosovë.
Përveç dajës së kryeministrit, Qeveria Haradinaj ka ndarë 30 mijë euro tjera për ish-këshilltarin e tij, Sylejman Selimi, ish-kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku dhe Mahir Hasanit.
Kjo shumë e parave është ndarë me 5 shkurt të vitit 2019.
Ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale, por zyra e prokurorit të Specializuar ka njoftuar se
Deri tash sipas Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kjo prokurori ka intervistuar më shumë se 250 persona, përfshirë personat kyq të Shtabit të Përgjithshëm të dhe ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokuroria e Specializuar ka kohë që nisur hetimet kundër disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën dyshimet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.