OBSH kërkon nga shtetet të përgatiten për koronavirusin

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka bërë thirrje qeverive në mbarë botën që të përgatiten për “shpërthime lokale” të koronavirusit të ri.

Njoftimi i sotëm vjen pasi Kina tha se numri i viktimave nga virusi është rritur në 259. Kina ka raportuar po ashtu se janë 11,791 raste të konfirmuara me virusin e ri, duke u shndërruar në shpërthim më të madh sesa ai i virusit SARS më 2002-2003.

Më herët gjatë javës, OBSH-ja shpalli emergjencë botërore mbi koronavirusin e ri. Kjo organizatë shprehu shqetësimin se disa raste të raportuara jashtë Kinës me këtë virus, mund të paraqesin raste të transmetimit të virusit nga njeriu në njeri.

Reklama e sponzorizuar

“Shtetet duhet të përgatiten përimportimin e mundshëm, në mënyrë që të identifikojnë rastet sa më herët që është e mundur që të jenë të gatshme të kontrollojnë shpërthimet e virusit, nëse kjo ndodh”, tha përfaqësuesi i OBSH-së, Gauden Galea.

Të paktën 25 shtete kanë raportuar se kanë identifikuar raste të personave të prekur nga virusi i ri, ku kryesisht bëhet fjalë për persona që kanë udhëtuar nga Kina.