Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, dje priti një delegacion të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), të drejtuar nga Igballe Rugova, me të cilën bisedoi mbi aktivitetet dhe sfidat me të cilat kjo organizatë po përballet për ta realizuar misionin e saj.
Osmani e çmoi lart përkushtimin e Rrjetit të Grave për mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë dhe trajtimin e viktimave të dhunës në familje. Ajo nënvizoi se është e domosdoshme që institucionet të krijojnë mekanizma shtetërorë për mbrojtjen efikase të të drejtave dhe lirive të viktimave të dhunës në familje.
“Institucionet e reja të Kosovës do ta shtojnë kujdesin ndaj kategorive të ndryshme të shoqërisë, veçanërisht ndaj viktimave të dhunës”, tha Osmani.
Ajo u zotua se do ta përkrahë Rrjetin e Grave në synimin e kësaj organizate për përmirësimin dhe mbrojtjen e grave. Në mënyrë të veçantë, ajo e shtroi domosdoshmërinë që në buxhetin e vendit të sigurohet linjë e veçantë buxhetore për strehimoret për gratë të cilat i ekspozohen dhunës, si dhe që të kthehet për diskutim Projektligji i Punës dhe Projektligji për Pushimin e Lehonisë dhe Pushimin Prindëror, si ligj tepër i rëndësishëm për sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në shoqëri.
Përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës, pasi e falënderuan Osmanin për pritjen, shprehën gatishmërinë e tyre që të punojnë ngushtë me institucionet e vendit për përmirësimin e mëtejmë të statusit të grave.
Ato u shprehën të bindura se kërkesat e tyre do të trajtohen me kujdes nga institucionet e reja dhe se, nëpërmjet përkrahjes që do t’ua japin atyre, Kosova do të dëshmojë shembull të kujdesit institucional ndaj viktimave të dhunës në familje.