Valdete Bllaca, e stërvitur dhe me profesionin e polices, e kishte paramenduar dhe e kishte përgatitur në përpikmëri skenarin e tragjedisë së djeshme. Vrasjen e prindërve, dy vëllezërve e më pas edhe vetëvrasjen, Valdete Bllaca e kishte planifikuar së paku një ditë përpara.
Sinjali ka mësuar nga burime të sigurta e të afërta me familjen e polices se dyshohet që së paku një ditë përpara krimit, ajo i kishte dorëzuar te tezja e saj 12 mijë euro.
Në bisedë e sipër, Valdete Bllaca mësohet se e kishte pyetur tezen se sa do të mund të kushtonte një varrim. Megjithatë, ajo nuk i kishte treguar tezes asnjë detaj se pse po ia linte paratë dhe se ku i kishte marrë ato, raporton Gazeta Sinjali.
Intriguese dhe dramatike ishin edhe lëvizjet dhe sjelljet e fundit të polices Valdete Bllaca përpara se ta vriste babain, nënën, dy vëllezërit e më pas edhe veten.
Gazeta Sinjali mëson gjithashtu se personat e fundit që ajo i kishte kontaktuar ishin tezja dhe bashkëshorti i saj. Kontakti me ta kishte ndodhur vetëm disa minuta para se ajo ta shkrepte armën drejt vetes, në fund të një vrasjeje të katërfishtë.
Tezja me bashkëshortin e saj, në ditën tragjike kishin shkuar për vizitë te familja Bllaca, mirëpo te dera i kishte pritur Valdete Bllaca për të mos i lënë të hynin brenda. E shqetësuar, Valdete Bllaca mësohet se u kishte thënë atyre se ata (familja) nuk janë aty dhe se ajo ishte e zënë. Pasi ishin përshëndetur me policen dhe kishin vendosur të largoheshin nga aty, tezja dhe bashkëshorti i saj dëgjuan krismat e dy plumbave që Valdete Bllaca i shkrepi drejt vetes.