Shefi i Kabinetit të Ministrit të Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti ka folur rreth vendimit të Ministrit Glauk Konjufca për shkarkimin e 14 konsujve. Ahmeti ka paralajmëruar edhe shkarkime të reja në diplomaci, derisa ka shtuar se për fenomenet e shkeljes së ligjit nuk do të shikohen emra, prejardhja apo qëndrimet partiake.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ahmeti ka thënë se vendimet e radhës do t’i marrin me maturi dhe në kohën e duhur dhe se nuk do të trajtojnë asnjë rast me emër të përveçëm.
“…ne nuk do ta trajtojmë asnjë rast me emër të përveçëm. Pra, do të punojmë që fenomenet e shkeljes së ligjit në Shërbimin e Jashtëm të luftohen, duke mos shikuar emra, prejardhje apo qëndrime par”, ka shkruar Ahmeti.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca dje ka njoftuar për shkarkime të shumë konsujve nëpër konsullata të Kosovës, disa prej të cilëve kanë pasur lidhje të afërta me partitë politike.
Në këtë listë bëjnë pjesë këshilltarja e Ramush Haradinajt, të afërm të zyrtarëve të partive politike e plot zyrtarë të AKR’së, të emëruar nga shefi i tyre, Behgjet Pacolli, sa mbante pozitën e ministrit të Jashtëm.