PIPS-i mirëpret vendimin e Konjufcës lidhur me konsujt

Vendimin për shfuqizimin e vendimit të emërimit të konsujve të ndryshëm, marrë sot nga ministri i MPJ-së Glauk Konjufca, e ka mirëpritur Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

PIPS gjithashtu vlerëson se Konjufca duhet të rishikojë mundësitë për të adresuar shkeljet ligjore edhe në këto kategori; “Shefat e misioneve diplomatike sipas celësit politik, të riemëruar për së dyti në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme, të dërguarit nëpër Ambasada të emëruar pas datës 19 korrik 2019, domethënë pas dorëheqjes së qeverisë Haradinaj; të rishikojë të gjitha vendimet për emërimin e Konsujve e Nderit; të rishikojë në mënyrë të detajuar procesin e emërimit të Shefave të Misioneve aktual, duke qenë se ka pasur ankesa në Komisionin për Punë të Jashtme se një apo më shumë Shefa Misionesh janë dërguar në detyrë pa u intervistuar nga Komisioni që përbën shkelje ligjore”.

PIPS thotë se “e përshëndet vendimin e sotëm të Ministrit Konjufca për shfuqizimin e Vendimeve të Kundërligjshme në kundërshtim me nenin 20 te Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës”.

Reklama e sponzorizuar

“Gjatë viteve të fundit PIPS në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për respektim të legjislacionit në fuqi në raport me shërbimin diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës, i cili ka vuajtur nga ndërhyrjet politike, kësisoj duke dëmtuar përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës. Punimet monitoruese të PIPS kanë ngritur shqetësime publike për shkeljet ligjore në proceset e emërimit, rotacionit, gradimit dhe kthimit nga detyra në shërbimin diplomatik. Gjatë mandatit të Qeverisë së fundit vendimet e politikës së jashtme kosovare janë përshkuar nga mosrespektimi i kritereve, që ka mundësuar rritjen e praktikës së diplomacisë personale, të filluar shumë vite më herët”, thuhet në njoftimin e PIPS.

Instituti PIPS thotë se vendimi i sotëm duhet të shihet si fillim i vendosjes së praktikave meritokratike brenda shërbimit diplomatik, “që do t’i mundësonin qytetarëve kosovarë një përfaqësim ndërkombëtar të denjë, ashtu siç e meritojnë, ndër tjera duke vënë në pah vlerat paqedashëse dhe demokratike të shoqërisë kosovare. Shërbimi diplomatik profesional është absolutisht qenësor për Kosovën, që të zbatojë një politikë të jashtme efektive dhe me rezultate”.