Prokurori: Nuk e di nëse palë e dëmtuar është Posta e Kosovës apo “Western Union”

Prishtinë – Në gjykimin që po zhvillohet ndaj ish-zyrtarëve të Postës së Kosovës, Fllanza Shabi dhe Fatime Hoti-Abazi, të cilat po akuzohen për përvetësim në detyrë, prokurori Arian Gashi ka kërkuar kohë shtesë që të deklarohet nëse palë e dëmtuar është Posta apo “Western Union”.

Ato po akuzohen se gjatë viteve 2009-2012, kishin përvetësuar shumën e parave prej 76.151,16 euro, e cila u ishte besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tyre për shërbimet e “Western Union”, në Postën e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori Arian Gashi, i cili nuk është përpilues i kësaj aktakuze, ka thënë se ai nuk i kishte kryer hetimet lidhur me këtë rast, por ka thënë se do të marrë për obligim që të njoftojë gjykatën se cila palë është e dëmtuar.

Reklama e sponzorizuar

“Meqenëse, unë si prokuror i çështjes nuk kam kryer hetimet dhe nuk kam ngritur aktakuzën, por do të marrë për obligim që këtë çështje ta shqyrtojë dhe në një nga seancat e radhës ta njoftojë gjykatën se kush në fakt ‘Western Union’ ana PTK janë të dëmtuar, sepse nëse ka një mungesë të tillë të mjeteve mbi 76 mijë euro atëherë logjikisht rrjedh që ka edhe të dëmtuar”, ka thënë prokurori Gashi.

Kështu, trupit gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti i ka dhënë afat shtatë ditë prokurorit Arian Gashi, që të deklarohet se kush ishte dëmtuar në këtë rast.

Ndryshe, pasi prokurori Arian Gashi me shkrim kishte dorëzuar në mënyrë të detajuar provat me të cilat mbështetet kjo aktakuzë, mbrojtja e të akuzuarve i ka kundërshtuar.

Avokati Ramë Dreshaj, mbrojtës i të akuzuarës Fatime Hoti ka thënë se në ekzaminimin i dëshmive nga ana e forenzikës, nuk përmendet asnjëra e akuzuar dhe sipas tij, eksperti i grafologjisë kishte pasur mundësi të merr mostra të nënshkrimeve dhe shkrimeve qoftë të fjalëve apo numrave për të ardhur tek një ekspertim të saktë.

Ai tha se në një përgjigje që “Western Union” u ka dhënë Unionit Financiar Prishtinë, të cilët kishin kryer hetimin për krime ekonomike, thuhet se për periudhën 2009-2012 gjatë barazimeve ditore dhe mujore nuk kishte pasur mospërputhje.

Në lidhje me shumën e mjeteve, për të cilat apo akuzohen se dy të akuzuarat kishin përvetësuar, avokatit Dreshaj ka thënë se nëse analizohet raporti i auditimit, thotë se mungesa kishte pasur edhe në Malishevë, Istog, Pejë dhe Fushë Kosovë.

Lidhur me këto, avokati Dreshaj ka thënë se duhet të angazhohet një tjetër ekspertizë e grafologjisë dhe një ekspertizë financiare.

Por, prokurori Gashi ka thënë se eksperti i grafologjisë pas përpilimit të ekspertizës kishte ardhur në përfundim se janë të shkruar nga personi i njëjtë dhe se edhe nëse do të caktohej një tjetër ekspertizë grafologjike, ai tha se rezultati do të ishte i njëjtë.

Ndërsa, në lidhje me caktimin e një eksperti financiar ai ka thënë se ekzistonte raporti i Auditorit të Brendshëm, por sipas tij, nëse gjykata konsideron se ishte i nevojshëm që ky raport të konfirmohet edhe një herë nga një ekspert i pavarur, nuk do ta kundërshtojë.

Pasi prokurori Gashi kishte deklaruar se nuk kishte informacion se kush ishte i dëmtuar, gjykatësi Shashivar Hoti ka thënë se nuk mund të vendoset lidhur me caktimin e ekspertizave grafologjike dhe financiare pa e pasur konfirmimin e prokurorisë se kush ishte i dëmtuar.

Prandaj, ai ka thënë se pasi prokurori në afat prej shtatë ditësh do të njoftojë gjykatën, trupit gjykues do të vendosë jashtë shqyrtimit gjyqësor se a do të aprovohen kërkesat e avokatit Dreshaj.

Për këtë arsye seanca është shtyrë në afat të pacaktuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 13 gusht 2018, e akuzuara Fllanza Shabi, në cilësinë e zyrtares së shitjes së PTK-së në Prishtinë, në zyrën postare nr.10 dhe Fatime Hoti Abazi, si zyrtare e teleshitjes në PTK, akuzohen se me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo për tjetrin, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kishin tejkaluar kompetencat e tyre.

Gjithnjë sipas akuzës, të akuzuarat në periudhën 2009-2012, kanë përvetësuar shumën e parave prej 76.151,16 euro, e cila i ishte besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tyre për shërbimet e “Western Union”, në Postën e Kosovës.

Prokuroria pretendon se një mungesë të tillë të të hollave e ka zbuluar Auditori i Brendshëm i Postës dhe Komisioni për verifikimin e kërkesave të hapura në zyra postare për shërbimet e “Western Union”.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarat se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, e sanksionuar sipas nenit 425 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi/