Partia Socialdemokrate, përmes një performance në sheshin “Nënë Tereza” pranë pllakës përkujtimore të Mon Balajt e Arben Xheladinit që u vranë më 10 shkurt të 2007-s në protestat kundër Pakos së Ahtisaarit, ka ftuar kryeministrin Albin Kurti ta shohë veten në pasqyrë.
Sipas Teutë Rrustës nga PSD-ja, Kurti duhet të shohë veten në pasqyrë, duke thënë se “kundërshtuesi më i madh i planit të Ahtisaarit tash në planin qeverisës s’ka asnjë rresht për synimin e kësaj proteste”.
“Siç e dini sot u bënë 13 vjet nga protesta e 10 shkurtit, që kishte qëllim kundërshtimin e Planit të Ahtisaarit. U vranë nga njësiti i UNMIK-ut Mon Balaj dhe Arben Xheladini duke protestuar. Por ky 10 shkurt është më i veçantë sepse kjo datë e gjen Kurtin kryeministër, kundërshtarin më të madh të planit të Ahtisaarit. Në alternativën qeverisëse të VV-së dhe në programin e 2017-s kemi brenda synimeve edhe ndryshimet kushtetuese që shmangin pengesat që dalin nga plani Ahtisaari. Mirëpo, tash në planin qeverisës të Kurtit s’kemi asnjë rresht për synimin e kësaj proteste. Kjo flet për llojin e qeverisë që do ta kemi. Përderisa Kurti gjen hapësirën për të bë nderime, në të njëjtën kohë ai nuk ndërmerr, dhe këto janë dokumente të lexuara e jo paragjykime, pra Kurti as nuk ka synim të marrë asnjë hap konkret për ndryshime kushtetuese të cilat kanë për brenda shumicën e dyfishtë që e fuqizojnë Listën Serbe, tash kolegë të Kurtit. Jeta demokratike e Kosovës është bllokuar përmes shumicës së dyfishtë dhe synimet për ta larguar këtë pengesë nuk shohim askund në dokumentet e tyre. 10 shkurti është dita kur Kurti duhet ta shohë veten në pasqyrë. S’ka kuptim që kjo protestë të shpërlahet politikisht. Përndryshe mund t’i themi oportunizëm politik. Ftojmë Kurtin të mos e largojë pasqyrën, por të ketë guxim e ta shohë veten në të”, ka thënë Rrusta në një deklaratë për media.