Luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, finalizimi i procesit të negociatave Kosovë – Serbi, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe e termocentrali “Kosova e Re” po konsiderohen vetëm disa prej sfidave kryesore me të cilat do të ballafaqohet qeveria e re, e udhëhequr nga kryeministri i ri Albin Kurti. Sa i përket dialogut, ish-kryenegociatorja Edita Tahiri i ka bërë thirrje qeverisë “Kurti” të jetë syçelë dhe të mos bjerë pre e lojërave të rrezikshme me kufij
Para dy ditësh Kuvendi i Kosovës zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Dy partitë kryesore të koalicionit qeverisës, LVV-ja dhe LDK-ja, u zotuan në vazhdimësi se do ta sjellin ndryshimin në Kosovë. Krerët e këtyre dy subjekteve kanë pohuar se Kosovën e presin punë të shumta për t’i kryer në mandatin e ri qeverisës.
Lufta ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit, përmbyllja e dialogut Kosovë – Serbi pa ndonjë skenar të rrezikshëm, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, strategjia që do të përdoret rreth termocentralit “Kosova e Re” po konsiderohen vetëm disa prej sfidave kyçe me të cilat do të ballafaqohet qeveria e re. Kryeministri tashmë i zgjedhur Albin Kurti ka thënë se është i gatshëm të merret me negociatat Kosovë – Serbi, shkruan tutje “Zëri”.
Por ish-kryenegociatorja e Kosovës në këtë proces, Edita Tahiri, ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Kurti duhet të jetë syçelë dhe të mos bjerë pre e lojërave të rrezikshme, që lidhen me paralajmërimet rreth ndryshimit të kufijve.