Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës, e cila pritet të mbahet nesër, do të ndërmarrë hapat e parë drejt vettingut.
Kjo bëhet e ditur në rendin e ditës së mbledhjes së Qeverisë, e cila ishte paraparë të mbahet sot, por që u shty për nesër.
“Shqyrtimi i propozim-vendimit për themelimin e Grupit të Ekspertëve të Pavarur për të dizajnuar parimet kushtetuese, skenarët dhe elementet e reformës së Vettingut në Sistemin e Drejtësisë (MD)”, është pika e pestë e rendit të ditës.
Shoqëria civile, gjatë gjithë mandatit të kaluar kishte kërkuar nisjen e këtij procesi, por s’kishte pasur asnjë lëvizje në këtë drejtim. Gjatë këtij muaji, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), përmes një konference për media, kishte prezantuar vlerësimet dhe propozimet mbi temën: “10 masat më urgjente të Qeverisë Kurti”.
Në mesin e tyre, si masë e pestë, ishte precizuar edhe procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë.
“Në përputhje me premtimin qendror elektoral për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Qeveria Kurti duhet menjëherë të fillojë reformat në sektorin e drejtësisë përmes vettingut. Ky proces duhet të përfshijë sistemit gjyqësor dhe atë prokurorial të Kosovës, si dhe duhet fillimisht të prekë pozitat e larta drejtuese të tyre. Vettingu duhet të bazohet në tre elemente vlerësuese kyçe; 1) integritetin profesional, 2) përgatitjen profesionale dhe 3) raportin me grupe politike ose kriminale. Qeveria Kurti duhet të sigurohet që planifikimi dhe hartimi i procesit të vettingut të bëhet me përfshirje të shoqërisë civile dhe elementeve të caktuara ndërkombëtare”, thuhet në propozimin e GLPS-së.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë për EkonomiaOnline, ka thënë se dy vjet do t’u duhen institucioneve për hartimin e bazës ligjore në mënyrë që të realizohet procesi i vettingut.
Ajo ka kërkuar nga departamentet brenda dikasterit që drejton hartimin e dokumenteve të nevojshme.
“Kam përmendur një afat prej 24 muajsh, ky afat më shumë ka pasur të bëjë me hartimin e bazës ligjore për realizimin e procesit të vettingut. Me verifikimin e nivelit të lartë të institucioneve të drejtësisë. Në këtë rast KGJK, Këshilli Prokurorial, Kryeprokurori, kryetarëve të gjykatave. Do të punojmë pa ndalur me ekspertë të shumtë për realizimin në kohë reale për ta kthyer besimin në institucionet e drejtësisë. Kam kërkuar raportin e rishikimit funksional, kam kërkuar nga departamentet përkatëse brenda Ministrisë së Drejtësisë që të punojnë me koncept dokumente që të nisim hartimin e bazës ligjore, por qëllimi im është që të bëjmë në koordinim me Kuvendin”, u shpreh ministrja Haxhiu, duke shtuar se bashkëpunimi me shoqërinë civile do të jetë i pashmangshëm.
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se ka pasur shkelje të mëdha në sistemin e drejtësisë, andaj siç tha ai, procesi i vettingut do të kthejë funksionalizimin e sistemit të drejtësisë në vend.
Musliu theksoi se periudha 24 mujore nuk është e mjaftueshme, pasi sipas tij, nevojitet edhe konsensus politik si dhe ndryshime kushtetuese e ligjore.
Sipas tij, vettingu do të pastrojë institucionet nga korrupsioni e krimi i organizuar dhe do ta kthejë besimin e qytetarëve në drejtësi.
“Kemi parë që ka pasur shkelje të mëdha dhe kalime të personave që kanë pasur integritet të kontestuar dhe kanë arritur të marrin pozitën e bartësit të funksionit qoftë në gjyqësor dhe prokurori. Kemi pasur edhe persona që duke u riemëruar duke u bërë prokurorë, pa e pasur provimin e jurisprudencës. E kemi vlerësuar se e vetmja zgjidhje për ta kthyer në zero funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë është vettingu i thellë që duhet të përfshijë policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin. Periudha 24 muajsh nuk është e mjaftueshme për ta përmbyllur një proces të tillë të rëndësishme pasi nuk është çështje e thjesht, por kërkon konsensus nacional dhe të gjitha partive politike në Kuvend. Nevojiten ndryshime kushtetuese dhe ligjore. Kjo periudhë kohore nuk mjafton dhe ky proces nuk duhet të bëhet me nguti”.
“Askush nuk duhet të frikësohet nga ky proces, ata që janë të pastër do të mbesin aty, por ata që me integritet të kontestuar që i shërbejnë agjendave kriminale dhe politike nuk mund të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Vetëm vettingu mund të pastrojë këta individ në këtë proces si dhe mund ta kthejë besimin e qytetarëve në drejtësi”, u shpreh Musliu.