Reagimi i AKP-së: Shitja e pronave po bëhet sipas dinamikës

Fotografi ilustruese

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka reaguar ndaj shkrimit me titull “Aksham Pazari me prona: AKP i qet në shitje 137 asete në procedurë të shpejtë”, të botuar në “Buletini Ekonomik” me datën 25.02.2020. Linku: http://buletiniekonomik.com/index.php/2020/02/25/aksham-pazari-me-prona-akp-i-qet-ne-shitje-137-asete-ne-procedure-te-shpejte/

Më poshtë është reagimi i plotë i AKP-së:

Agjencia Kosovare e Privatizimit për hir të korrektësisë dhe transparencës me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik reagon ndaj shkrimit të publikuar dje, me datën 25 shkurt 2020, në portalin Buletiniekonomik.com, me titullin “Aksham Pazari me prona: AKP i qet në shitje 137 asete në procedurë të shpejtë”.

Reklama e sponzorizuar

Ky shkrim përmban të pavërteta duke filluar me titullin që AKP me procedurë të shpejtë ka vendosur 137 asete në shitje. AKP zhvillon valë të shitjeve sipas planifikimit dhe dinamikës së planit të punës që përcaktohet për një vit kalendarik, valë të rregullta, e tillë siç është edhe vala SHAL 55, të cilat përgatiten nga zyrtarët e AKP-së shumë më herët. Dinamika e punës së AKP-së në aspektin e shitjeve, që mund të vërtetohet si në ueb faqe ashtu edhe në rrjete sociale, janë shitje të rregullta që zhvillohen pothuajse çdo muaj, varësisht prej kapaciteteve të brendshme për përgatitjen e tyre. Në artikullin e cekur më lartë thuhet se AKP pak ditë pas përfundimit të shitjes ka shpallur valën e re, por duke mos qenë të njoftuar ky portal me procedurat e rregullta të AKP-së bënë shkrime të tilla tendencioze që kanë për qëllim të njollosin punën e AKP-së dhe të dezinformojnë opinionin publik.

AKP, ka bërë shpalljen për shitjen e aseteve SHAL 55, siç bënë rëndom pas secilës shitje në përputhje me planin e punës të miratuar nga Bordi i Drejtorëve të AKP-së. Shpallja nuk nënkupton shitje të menjëhershme as të përshpejtuar por nënkupton një muaj kohë nga dita e shpalljes deri tek dita e shitjes pra realizimit të saj, siç janë edhe procedurat me rregulla të tenderit dhe kornizën rregulllative të AKP-së. AKP mbetet e përkushtuar drejt realizimit të mandatit të saj ligjor dhe drejt informimit të drejt të opinionit publik.

Po ua bashkëngjisim shtegun (http://www.pak-ks.org/Page.aspx?id=1,16) me Rregullat e Tenderit i cili është publikuar në Ueb faqen e Agjencisë ku palët e interesuara mund të informohen në detale lidhur me rregullat e tenderit dhe procedurat e shitjes . Gjithashtu ju lusim që për çdo interesim qe keni lidhur me AKP-në te na kontaktoni paraprakisht me qëllim të informimit të drejt dhe korrekt të opinionit publik.