Sa i ka kushtuar buxhetit të shtetit paga e një koordinatori nacional?

Krahas ekzistimit të ministrive përkatëse, në Qeverinë e kaluar të Kosovës ishte zbatuar edhe forma e emërimit të koordinatorëve për çështje të caktuara. Në këtë aspekt, krahas ministrit të Arsimit, ekzistonte edhe koordinatori nacional për arsim apo edhe rasti kur krahas ministrit të Mjedisit dhe Ambientit, ekzistonte koordinatori për çështje klimatike dhe ambient.

Por, këto pozita u shuan me një vendim të Qeverisë së re të Kosovës, të kryeministrit Albin Kurti. Shuarja e pozitave të koordinatorëve, bie në fushën e shqyrtimit të shumë vendimeve të qeverisë paraprake, nga qeveria aktuale.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa nga koordinatorët e shkarkuar, por ata nuk kanë pranuar që të flasin e disa nga ta nuk kanë qenë të qasshëm.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, përfaqësues të shoqërisë civile e vlerësojnë si të qëlluar vendimin e qeverisë, pasi që sipas tyre, këto pozita kanë qenë të panevojshme.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se shuarja e këtyre pozitave ishte një vendim i mirë dhe në funksion të kursimeve buxhetore.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se ky është një vendim i drejtë i cili më në fund i jep përgjigje bastardimit të madh të pozitave të shumta të koordinatorëve të cilat janë krijuar edhe pa nevojë, por edhe duke krijuar dëme dhe barrë të madhe për buxhetin e Kosovës. Koordinimi i shumë prej këtyre obligimeve që i kanë pasur në kompetencë këta koordinatorë, janë të bazuara në ligj, prandaj zbatimi i ligjeve nga zyrtarët e të gjitha institucioneve do ta bënte të panevojshme krijimin e këtyre pozitave”, tha Musliu.

Vetëm për pagën e një koordinatori nacional, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar brenda një vitit mesatarisht mbi 20 mijë euro. Koordinatorët nacionalë të cilët ishin emëruara në qeveria e kaluar, nuk kanë ekzistuar si pozita zyrtare në periudha më të largëta kohore.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, tha për Radion Evropa e Lirë se shkarkimi i koordinatorëve nacionalë nuk do të paraqesë ndonjë pengesë në funksionimin e atyre fushave të cilët ata i kanë udhëhequr.

“Është vendim i mirë pasi që nuk ka qenë e arsyeshme emërimin e koordinatorëve dhe po ashtu ka qenë e pa qartë pse duhet të ekzistojnë ato pozita, kështu që vendimi që të shkarkohen është pozitiv. Në Kosovë nuk do të duhej të krijohen pozita të tilla sepse edhe ashtu ka shumë institucione, agjenci të pavarura, që secila prej tyre mund të luajë rolin e tyre dhe nuk ka nevojë të krijohen koordinatorë të tillë”, thotë Demhasaj.

Demhasaj shton se emërimi dhe funksionimi i këtyre koordinatorëve nuk është se ka treguar ndonjë ndryshim pozitiv në shoqëri apo në funksionimin e institucioneve.

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj i cili kishte emëruar këta koordinatorë nacionalë, përmes një postimi në Facebook ka reaguar pas vendimit të Qeverisë Kurti, duke shkruar se me këtë vendim kanë pësuar profesionistët.