Përfaqësues të shoqërisë civile i kanë kërkuar Qeverisë të tërhiqet përfundimisht nga kontrata me investitorin “Contour Global”.
Pavarësisht faktit që kanë mbetur më pak se dy muaj deri te mbajtja e seancës dëgjimore mes Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe Qeverisë së Kosovës, ku do të flitet rreth dyshimeve për shkelje ligjore në marrëveshjen për termocentralin “Kosova e Re”, nga Ministria e Ekonomisë, e Tregtisë dhe e Financave i kanë thënë gazetës se akoma nuk kanë ndonjë strategji konkrete se si do të veprojnë rreth kësaj çështjeje. Përfaqësues të shoqërisë civile i kanë kërkuar Qeverisë të tërhiqet përfundimisht nga kontrata me investitorin.
Grupi i organizatave të shoqërisë civile, i përbërë nga “Balkan Green Foundation”, nga instituti GAP dhe nga INDEP-i, ka qenë mjaft i zëshëm kundër projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”. Këtë projekt ata e kanë konsideruar kundërthënës dhe të dëmshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës dhe për stabilitetetin e saj makroekonomik.
Gjersa ka folur rreth kësaj, Rinora Gojani, nga “Balkan Green Foundation” (BGF), ka thënë se Qeveria duhet të tërhiqet nga kontrata me investitorin. “Qeveria e re së pari duhet të tërhiqet nga kjo kontratë dhe më pas duhet të ndryshojë qasje dhe mentalitet në lidhje me zhvillimin e sektorit të energjisë dhe të mbrojtjes së mjedisit. Qeveria e re duhet t’i shohë kostot reale të ndërtimit të kapaciteteve energjetike, të bazuara në linjit dhe t’i vlerësojë e t’u japë përparësi burimeve të ripërtëritshme të energjisë, konkretisht projekteve që bazohen në energjinë e erës dhe të diellit, burime këto simbolikisht të shfrytëzuara gjer më tani”, ka deklaruar ajo.
Por ish-ministri Valdrin Lluka ka thënë se Qeveria assesi nuk duhet të tërhiqet nga kontrata me “Contour Global”-in. “Jo, normalisht që jo. Mendoj që qeveria duhet të vazhdojë me këtë projekt për arsye të rëndësisë. Ne sot ballafaqohemi me energji jostabile në vend, me prodhim jostabil në vend. Duhet të qëndrojmë në këtë projekt, duhet të ecim më tutje”, ka theksuar ai.
E në rast se ka shkëputje të kontratës para fillimit të ndërtimit të termocentralit, atëherë Qeveria e Kosovës duhet të paguajë ndaj “Contour Global”-it mbi 19 milionë euro. Kjo pagesë në një rast të tillë duhet të vijë për shkak të shpenzimeve rreth kryerjes së studimeve dhe përgatitjes së dokumenteve ligjore.
Por Gojani insiston se tërheqja e Qeverisë nga kontrata duhet të vijë pavarësisht këtij fakti, pasi Kosova pëson më pak dëm me zgjedhjen e këtij opsioni. “Çdo prishje e marrëveshjes medoemos ka penalizime, andaj edhe në qoftë se Kosova do të duhej të paguante 19 milionë euro dënim për këtë kontratë dëmi është më i vogël sesa që do të jetë po qe se jetësohet kjo kontratë. Më pas Qeveria e re patjetër se do të duhej të kërkonte përgjegjësi për fajtorin dhe ta hetonte këtë rast”.
Gojani më tutje ka thënë se Strategjia e Energjisë dhe korniza e politikave shtetërore duhet të jenë të fokusuara në tranzicionin energjetik, të forcimit të ndërlidhshmërisë më të madhe të tregut rajonal, posaçërisht me Shqipërinë. Gjithashtu, sipas saj, duhet të mendohet shfrytëzimi i gazit natyror si formë e energjisë për tranzicionin energjik, të revitalizohet termocentrali ekzistues “Kosova B” (si kapacitet prodhues i energjisë bazë të vendit), por assesi të mos investohet në shtim të kapaciteteve te reja nga thëngjilli. “Kjo ngase më lirë kushton të mbahet thëngjilli nën tokë sesa të eksploatohet, shtoja kësaj edhe pasojat afatgjate, qoftë në shëndet, qoftë në shpronësim, qoftë në tjetërsim të tokave dhe të ujërave nëntokësore e sipërfaqësore”, ka deklaruar për “Zërin” Rinora Gojani, nga BGF-ja.