Edhe pse ish-kryeministri Ramush Haradinaj, pak ditë para largimit, ia vazhdoi mandatin për tre vjet drejtorit të Doganave Bahri Berisha, Ministria e Financave në Qeverinë Kurti ka shpallur konkurs për këtë pozitë.
Me vendimin e ministrit Besnik Bislimi nënkupton se është shfuqizuar vendimi që Haradinaj mori në fund të muajit janar. Ani pse mandati i Berishës do të përfundonte më 8 shkurt të këtij viti, më 24 janar ai mori mandatin e dytë, trevjeçar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Emërimi për mandat të dytë nga Haradinaj, përveç tjerash, u bë në formë të jashtëligjshme. Kjo, ngase nuk u respektua Kodi Doganor i Kosovës. Sipas nenit 5, paragrafi 4, të Kodit Nr. 03/L-109 Doganor dhe Akcizave të Kosovës, Ministri i Financave do të duhej të shpallte konkurs publik për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Republikës së Kosovës. Dhe, pas intervistimit, do të duhej që komisioni të propozonte emrin e kandidatit të Ministrisë së Financave dhe ky i fundit të procedojë tutje në Qeveri. Por, në rastin konkret nuk ka pasur konkurs, e as që është formuar ndonjë komision.
Haradinaj e kishte marrë vendimin dhe të njëjtin e kishte bërë të ditur vetëm në rrjetet sociale.
“Në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese e ligjore, sot, drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ia kam vazhduar mandatin edhe për tre vjet të tjera. Z. Berisha, përgjatë shërbimit të tij në këtë pozitë ka dëshmuar profesionalizëm e korrektësi dhe me seriozitet ka kryer punët dhe përgjegjësitë e tij në këtë institucion shumë të rëndësishëm të vendit. Z. Berisha i uroj punë të mbarë edhe për vitet e tjera”, kishte shkruar Haradinaj.
Në konkursin e ri të hapur nga MF-ja, thuhet se kërkohet Drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës.
“Dogana e Kosovës është institucioni i vetëm kompetent për të ushtruar funksionet doganore në emër të Republikës së Kosovës. Detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës janë paraparë me nenin 6 dhe 7 të Kodit Doganor dhe të Akcizave në Kosovë Nr. 03/L -109, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-099, Ligjin Nr. 04/L-115 dhe me Ligjin Nr. 04/L-273, me të cilin kod janë përcaktuar edhe detyrat dhe përgjegjësitë e Doganës së Kosovës. Në përputhje me nenin 5 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Ministri i Financave dhe Transfereve shpallë konkursin për Drejtor të përgjithshëm dhe themelon komision për përzgjedhjen e kandidatit të rekomanduar, të cilin më pastaj e emëron Kryeministri i Republikës së Kosovës”, thuhet në përshkrimin e përgjithshëm të konkursit.