Polici Sami Thaçi ishte i 21-ti që ka rënë në detyrë, në gati po aq vjet prej themelimit të Policisë së Kosovës.
Në aksionin e njëjtë, ku Thaçi mbeti i vdekur, lëndime morën edhe dy kolegë të tij, duke riaktualizuar nevojën për sigurime shëndetësore për policët, raporton KTV.
Pavarësisht kërkesës së kahershme, Sindikalistët e Policisë deri tani kanë marrë vetëm premtime nga secila Qeveri në pushtet.
Qeveria në largim, pas rastit të policit Thaçi, për familjen e tij ndau 15 mijë euro, si dhe nga 10 mijë euro për dy policët e lënduar.
Nënkryetari i Sindikatës së Policëve, Shaban Tasholli, thotë se tanimë kanë pasur një takim me ministrin Besnik Bislimi, dhe presin angazhim konkret drejt realizimit të sigurimeve shëndetësore.
Së fundi zëvendësministri i sapoemëruar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se Policia duhet të ketë sigurim shëndetësor.
Dhe, sipas tij, është çështje muajsh kur do të dalin me veprime konkrete rreth kësaj.
Ndërkaq Kohavisioni e ka pyetur Ministrinë e Financave se a ka buxhet për ndarje të mjeteve për sigurime shëndetësore për këtë kategori, por zyrtarë të saj kanë thënë se për këtë çështje duhet drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.
Por as kjo e fundit gjatë ditës nuk ka kthyer përgjigje, derisa televizioni ka tentuar të vërë kontakt edhe me përfaqësues të Fondit për Sigurime Shëndetësore.