S’ka mjekë, repartet në spitalet rajonale drejt mbylljes

Për shkak të mungesës së mjekëve disa reparte në spitalet rajonale në vend rrezikojnë të mbyllen. Një nga repartet në Spitalin e Gjakovës veçse është mbyllur gjatë vitit të kaluar, derisa drejt mbylljes janë edhe reparte të tjera në spitalet rajonale, shkruan gazeta “Zëri”.

Mungesa e punëtorëve shëndetësorë në spitalet rajonale, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e në qendrat e mjekësisë familjare po konsiderohet të jetë shumë e madhe, kësisoj njohësit e fushës së shëndetësisë e vlerësojnë gjendjen si alarmante.

Mungesa e stafit mjekësor ka rezultuar në mbylljen e një reparti, derisa edhe reparte të tjera thuhet të jenë drejt mbylljes.

Reklama e sponzorizuar

Që nga muaji mars i vitit të kaluar Reparti i Syve në Spitalin e Gjakovës ishte mbyllur për shkak të mungesës së mjekëve, derisa që nga ajo kohë askush nuk është shprehur i gatshëm të japë shërbime aty.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se përveç Repartit të Syve në Spitalin e Gjakovës, ka rrezik që edhe reparte të tjera të mbyllen për shkak të mungesës së stafit.