Tahiri thotë se procesi i kontestuar i noterëve s’mund të kthehet në pikën zero

Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, rasti i shumëpërfolur i noterëve të rinj s’ka bazë ligjore për t’u kthyer në pikën zero.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se kishte vendosur të mos vazhdonte me procesin e noterëve të rinj për “shkak që të mos shtonte spekulimet”.

“Meqenëse që të mos lë spekulime më tutje kam analizuar dhe kam vendosur që t’i mbetet qeverisë së re. Edhe ambasadori gjerman e as ai tjetri s’kanë folur gjatë gjithë procesit. Tri ditë pas rezultateve është thënë se ne kontestojmë legjitimitetin e qeverisë për të marrë vendime, jo në proces. Andaj rekomandojmë që t’i mbetet qeverisë së re. Jam pajtuar se sepse s’kam asgjë personale. Janë 73 noterë dhe kemi shumë monopole. Është mirë të trajtohet. S’ka bazë ligjore që mund ta kthejë në pikën zero. Nëse dëshmohet se është abuzuar normalisht është rast për prokurorinë. AKK-ja ka dhënë opinion se s’ka konflikt interesi. S’ka bazë ligjore për ta kthyer në pikën zero. Zonja Haxhiu (ministrja e re e Drejtësisë) duhet të bëjë ashtu siç thotë ligji. Janë procese që vazhdojnë”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Në qershor të 2019-s, provimin me shkrim për noterë të rinj e kishin kaluar së paku 50 kandidatë që ishin të afërm me njerëzit në politikë.

Tahiri ka thënë se Ministrinë që e ka udhëhequr e ka lënë në gjendje shumë të mirë, teksa ka porositur ministren e re të procedojë me projektet e nisura nga ish-qeveria.

Për Qeverinë e re, Tahiri ka thënë se ka pritur që qysh në ditën e parë të nisë të merret me rastin e Astrit Deharit, megjithatë, sipas tij, “s’ka kurrfarë veprimi”.