Thaçi ende pa iu përgjigjur ftesës së Kurtit, niset për Gjermani

Derisa kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i bëri ftesë për takim presidentit Hashim Thaçi, ky i fundit veçse është nisur për në Munih të Gjermanisë.

Përmes kumtesës zyrtare nga presidenca, thuhet se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Munihut.

“Në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Munihut, presidenti Thaçi do të ketë takime të ndryshme bilaterale, ndër të tjera edhe me senatorët amerikanë Ron Johnson dhe Chris Murphy, me Ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, pastaj me Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, si dhe me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak”, thuhet më njoftim, transmeton Koha.net.

Reklama e sponzorizuar

Në kumtesë, theksohet se, po ashtu, presidenti Thaçi në kuadër të kësaj konference do ta takojë edhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadorin Richard Grenell.