Thaçi lajmërohet nga Gjermania, tregon çfarë qëndrimi do të mbajë në Konferencën e Mynihut

Presidenti Hashim Thaçi nga Gjermani është lajmëruar për një portal, ku ka folur për qëndrimet që do të mbajë në Konferencën e Munihut. Thaçi, sipas intervistës së publikuar, nuk ka thënë asnjë fjalë për ftesën që ia bëri sot Kryeministri Albin Kurti për takim para shkuarjes në Gjermani.

Kurti dëshironte koordinim me Thaçin, por pak minuta pasi e ftoi, Zyra e Presidentit njoftoi se ai është nisur për në Gjermani.

Thaçi thotë se është i fokusuar në ruajtjen e interesimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe stabilititetin në Ballkan.

Reklama e sponzorizuar

“Këtë vit do të fokusohem në nevojën për të ruajtur interesimin dhe vëmendjen e SHBA-së, por edhe të BE-së dhe vendeve anëtare të saj në Kosovë dhe paqen e stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor. Është shumë e rëndësishme që të punojmë në tejkalimin e kësaj pike kur marrëdhënia jonë me BE-në është lënduar për shkak të vonesës në marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi për indeksonline.net.

Presidenti Thaçi ka thënë se edhe në margjinat e konferencës do të takohet me zyrtarë të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, ndër ta edhe me ambasadorin Grenell, i cili është ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe i dërguari i presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.