Të trija rastet, të cilat ishin paraqitur në QKUK të marten si të dyshuara, është konfirmuar se nuk janë me koronavirus.
Përmes një komunikate, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se testet kanë rezultuar negative.
“Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të të tre pacientëve. Testet kanë rezultuar negative për të tri analizat, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 as me Influencë A dhe B”, shkruan në komunikatë.
Një shtetas jo kosovar, 69 vjeç i cili ka qëndruar në Itali dhe dy shtetas të tjerë kosovarë, 25 vjeç dhe 23 vjeç, të cilët kanë ardhur sot nga Italia, ishin raportuar si raste të dyshimta paraditën e së martes.