Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e Qerim Kelmendit.
Përmes një raporti, thotë se trupi është gjetur brenda një veture të djegur në fshatin Zahaq të Pejës.
“Gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në raportin e policisë.
PK-ja thotë se gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VW Passat me targa vendore.
“Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar ‘vrasje’ dhe janë duke u bërë përpjekje maksimale për të identifikuar kryesin ose kryesit e mundshëm”, përfundon raporti.