Wigemark: Në Kosovë ka ndërhyrje politike në gjyqësor

Shefi i ri i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, në një intervistë ekskluzive për Koha.net, ka thënë se në Kosovë ka ndërhyrje politike në gjyqësor. Në këtë intervistë, ai ka folur për praninë e madhe të korrupsionit, për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës, dhe për potencialin e të rinjve, të cilët i ka quajtur “truri i Kosovës”.

Ka treguar se detyra kryesore e tij si shef i ri i EULEX-it është që misioni të vazhdojë të jetë i aftë për t’i shërbyer qëllimit, të jetë partner i besueshëm, i drejtë dhe i sinqertë për partnerët nga sektori i sundimit të ligjit të Kosovës.

“Kjo është në veçanti e rëndësishme tani me Qeverinë e re, qëllimi i theksuar i së cilës është pasja e një sistemi të pavarur, të paanshëm dhe profesional të drejtësisë në Kosovë dhe kthimi i besimit në të”, ka thënë Wigemark.

Reklama e sponzorizuar

Shefi i EULEX-it ka premtuar mbështetje për të gjitha institucionet e Kosovës në mënyrë që ato të marrin pronësinë e plotë të procesit të domosdoshëm të reformave dhe rrugëtimit evropian, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke e pasur parasysh metodologjinë e rishikuar të Komisionit Evropian për zgjerimin, e cila është miratuar javën e kaluar dhe e cila ka për qëllim që procesin e hyrjes në BE ta bëjë më kredibil, me drejtim politik më të fuqishëm, më dinamik dhe më të parashikueshëm. Siç mund ta dini, tanimë, Komisioni ka theksuar se si të ashtuquajturat parimet themelore, në veçanti sundimi i ligjit, duhet të bëhen edhe më kryesore në procesin e hyrjes në BE”, është shprehur Wigemark.

Ka sqaruar se vendet anëtare të BE-së i kanë caktuar që nëpërmjet misionit i BE-së për sundimin e ligjit t’iu ndihmojë autoriteteve të Kosovës për themelimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit gjatë rrugës së saj për në BE.

Ambasadori suedez Wigemark e mori detyrën si shef i ri i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, më 23 janar 2020, me një mandat që zgjat deri më 14 qershor 2020. Ai e pason ambasadoren Alexandra Papadopoulou, e cila e përfundoi detyrën e saj si shefe e EULEX-it në korrik të vitit të kaluar. Ka bërë karrierë të gjatë diplomatike. Ka shërbyer në shumë vende të botës, përfshirë edhe në vendet e rajonit, si në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë.