Zvogëlohet numri i komisioneve parlamentare

Kuvendi i Kosovës ka votuar pro zvogëlimit të numrit të komisioneve parlamentare nga 16 sa ishin në 14.

Është votuar edhe përbërja e tyre. Pro ishin 90 deputetë, kundër nuk kishte, ndërsa vetëm një ishte abstenim.

“Me 90 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim kalon edhe propozim vendimi për funksionalizimin e komisioneve parlamentare sipas propozimit të kryesisë”, deklaroi kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Reklama e sponzorizuar

Kjo seancë kishte filluar në ora 10:00, mirëpo, deputetët nuk kishin arritur që të dakordoheshin për votim.

Pak orë më vonë ishte mbajtur edhe mbledhja e kryesisë me kërkesë të Osmanit, ku ishin pajtuar në shumicë për votimin e komisioneve.

Pas këtij votimi, ka përfunduar kjo seancë e Kuvendit.