Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka deklaruar se nëse LDK-ja e rrëzon qeverinë, do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme nga presidenti Hashim Thaçi.
“Drejtimi që ka marrë Mustafa, Veliu, Hyseni e dërgojnë LDK në përpirje nga Thaçi dhe Kosovën e dërgojnë në tmerrin që nuk është përjetuar asnjëherë deri më tani. Thaçi-Ndarjen që nuk e bëri dot me shampanjë do ta bëjë me gjak duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Sipas zëvendëskryeministrit, LDK-ja do ta përjetojë thikën pas shpine si në të kaluarën.
Abazi ka shtuar se nga LDK-ja dje është bërë presion për të mos u hequr tarifa.
“Nga LDK dje është bërë presion për të mos u votuar heqja e tarifës dhe kjo dëshmon që nuk është tarifa por “borxhi” ndaj Thaçit dhe PDK. Veliu dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme janë anët e medaljes së njejtë, thuhet mes tjerash në këtë publikim.
LDK dje në Kuvend e ka dorëzuar kërkesën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.
Ky është postimi i plotë i Haki Abazit në Facebook:
COVID politik që po rrezikon shtetin
Drejtimi që ka marrë Mustafa, Veliu, Hyseni e dërgojnë LDK në përpirje nga Thaçi dhe Kosovën e dërgojnë në tmerrin që nuk është përjetuar asnjëherë deri më tani.
Nëse LDK e rrëzon qeverinë, gjendja e jashtëzakonshme shpallet brenda një kohe të shkurtër dhe Thaçi qëron hesape. Sigurisht që LDK do ta përjetojë thikën pas shpine ashtu si edhe në të kaluarën. Kosova do të tronditej.
Thaçi-Ndarjen që nuk e bëri dot me shampanjë do ta bëjë me gjak duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Nuk kemi më Enver Zymbera për t’i shuar jetët e tyre për të mbrojtur Thaçin dhe për ta bërë realitet ndarjen e vendit. Ushtria jonë nuk duhet të përdoret si “mish për top”. 20 vite asnjë të mirë nuk e kujtojmë, çfarë i bëri bashk prap Thaçin dhe Mustafën.
Nga LDK dje është bërë presion për të mos u votuar heqja e tarifës dhe kjo dëshmon që nuk është tarifa por “borxhi” ndaj Thaçit dhe PDK. Veliu dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme janë anët e medaljes së njejtë. Nuk do të ishte korrekte nëse do ta bëja publike një gjë të tillë sikur LDK të ishte korrekte e parimore, sikur të ishte situatë normale, por votuesi i LDK dhe çdo qytetar duhet të kuptoj që taksa është justifikim dhe mburojë dhe asgjë tjetër, qëllimi i vërtet është në ruajtjen dhe mbarvajtjen e një sistemi që ka gllabëruar funksionimin e shtetit. Qëllimi është që hovi i sukseshëm i qeverisë Kurti dhe lufta kundër krimit dhe korrupcionit të ndalet. Kjo nuk është e gjithë LDK por disa individ dhe masha e tyre që kanë marrë peng vendin e tanimë kjo po del hapur në shesh.
Sjellja e papërgjegjshme në këtë kohë të pandemisë dhe rrezikut të lartë për qytetarin dhe bashkëpunimi me PDK, AAK dhe NISMA është treguesi më i mirë që Mustafa, në fakt i ka borxh Thaçit, apo Thaçi i ka në dorë dosjet e Mustafës për një kohë të gjatë. Shatri mund të ketë të drejtë.